Lufta me veset, Korreshi: Janë beteja që s’i lufton vetëm një individ apo vetëm një familje

Në një shoqëri ku shumë beteja zhvillohen në heshtje, varësitë dhe veset mbeten një plagë e hapur që prek jo vetëm individët, por shkatërron familje të tëra.

Në qendrën e rehabilitimit "Teen Challenge", një strehë për meshkujt që luftojnë me demonët e tyre, realiteti i varësisë merr një formë konkrete.

Përfaqësuesit e kësaj qendre rezidenciale afatgjatë, e vetmja e llojit të saj, zbuluan në emisionin “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai se cilat janë varësitë më të rënda dhe shpesh të fshehura që po dëmtojnë thellësisht shoqërinë shqiptare.

Oltion Korreshi u shpreh se filozofia e "Teen Challenge" është unike. Ata që kërkojnë ndihmë nuk etiketohen si "klientë" apo "pacientë", por quhen "studentë".

Ky term përdoret për të theksuar procesin e transformimit dhe mësimit të një mënyre të re jetese, larg etiketimit.

Ai tha se qendra nuk funksionon si një spital apo një burg; nuk ka kangjella, zinxhirë apo dyer të mbyllura. Gjithçka bazohet në vullnet.

Një nga shtyllat kryesore të shërimit është familja. Përfaqësuesit e qendrës theksojnë se bashkëpunimi me familjarët është jetik.

PJESË NGA BISEDA

Sonila Musai: Si është përballja, Oltion, me një person? Gjëja e parë që ju përballeni me të. Çfarë ndodh?

Oltion Korreshi: Së pari faleminderit, pasi këto gjëra që janë jetike për individin në kohët e sotme dhe për familjen shqiptare ku neve po jetojmë më së shumti, nuk goditen edhe nuk flitet për këto realitete dhe lihen si mënjanë, lihen nën hije, lihen të pa treguara, ndërkohë që janë vërtet beteja që nuk i lufton vetëm një individ apo vetëm një familje. Ne si shoqëri duhet të ngremë më shumë zërin. Edhe faleminderit për kohën tuaj. Neve pikërisht për këtë gjë i quajmë studentë individët që vijnë në qendrën tonë, për të mos etiketuar termin klient, sepse ata nuk ofrojnë një pagesë uau, kush e di se çfarë domethënë të shërbimeve që marrin. Neve nuk i quajmë pacientë, sepse neve, drejtori e përmendi pak më herët, neve nuk jemi fatkeqësisht një spital, nuk konkurrojmë, përkundrazi neve bashkëveprojmë me, me spitalet e ndryshme që, që kanë dhe këtë cikël, porse ne i quajmë pikërisht këtë gjë sepse ndodh ai transformimi rrënjësor. Në qoftë se drejtori përmendi pak pornografinë që rri fshehur aty, unë do të thosha për një ves që është i përhapur gjithandej dhe nuk vihet re, është duhani. Një ves tjetër që pranohet gjerësisht në shoqërinë tonë, është alkooli, por që ka marrë edhe vazhdon merr jetë njerëzish. Edhe këto janë vese shumë të përhapura që pranohen. 'Aman se një gotë po pi'. 'Se nuk po e rëndon familjen'. 'Se është diçka për burra'. Madje fatkeqësisht duhet thënë që neve kemi pasur raste, se tani po kalojmë edhe për të... Ne kemi pasur raste në punën tonë që vetvetiu familja nuk ka arritur ta kuptojë këtë gjë, që duhet të bashkëveprojë me ne, për të rritur dhe ajo ndjeshmërinë e saj, bashkëveprimin e saj, pjesëmarrjen e saj, që të bashkëpunojë dhe të bashkërendojë dhe ajo jetën e saj, sepse nuk është vetëm individi i varur. Është dhe familja që ka filluar ta pranojë këtë gjë, ta lejojë, ta ndihmojë, ta mbulojë deri diku, nëse flasim për këto, për këto vese të gjera.

Sonila Musai: Oltion, a është e vështirë bashkëpunimi me familjen?

Oltion Korreshi: Një gjë që neve na pëlqen që ta bisedojmë paraprakisht, sepse duhet të kuptojmë, struktura tek ne është e tillë, nuk është se individi vjen edhe thotë, unë dua të hyj sot aty, edhe thjesht merr plaçkat edhe hyn. Jo, ne faktikisht kemi një strukturë të mirëfilltë që kalojmë në disa etapa ose disa intervista dhe një proces që derisa...

Sonila Musai: I përzgjidhni?

Oltion Korreshi: Sigurisht që i përzgjedhim. Kemi listë pritjeje, kemi përzgjedhje, sepse neve duam që individi të vetëdijësohet për nevojën.

Sonila Musai: Po çfarë bëni me personat që nuk i merrni në qendrën tuaj?

Oltion Korreshi: Hapi i parë i ndryshimit, i shërimit, është kur individi e pranon që ai ka nevojë për t'u shëruar. Hapi i dytë pastaj është dëshira e tij për të ndryshuar dhe ne në bazë të kësaj dëshire, neve jemi një, jemi një qendër me dyer të hapura. Ne nuk kemi zinxhirë, ne nuk kemi kangjella, ne nuk kemi hekura. Domethënë, neve punojmë me individin dhe bashkëveprojmë me të. Për të ardhur tek familja. Drejtori shpeshherë përdor një shembull që unë do ta sjell në këtë pasdite dhe për të kuptuar më mirë natyrën e bashkërendimit të gjërave. Neve jemi një krah, një lopatë, e dhe lopata tjetër e kësaj varke që individi duhet të ecë përpara, duhet të jetë familja. Neve nuk mund t'i japim vetëm një krah rremave. Duhet t'i japim të dyja krahët në mënyrë që individi vetë të ecë përpara në drejtimin e duhur dhe të gjejë atë oazin e tij për t'u ankoruar dhe për të gjetur se ku duhet të shkojë. Nuk e bëjmë dot punën të vetëm.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”