Lançohet aplikacioni francez “The Sorority” për mbështetjen e grave në vështirësi

Aplikacioni francez The Sorority, i krijuar për të ndihmuar gratë dhe vajzat në situata të vështira apo emergjente, u lançua në Shqipëri gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Vila 31 x Art Explora.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, mes tyre ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, si dhe deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi.

Aplikacioni “The Sorority” synon të ofrojë mbështetje të menjëhershme për gratë që ndodhen në rrezik apo në situata të vështira, duke krijuar një rrjet solidariteti mes përdoruesve të regjistruar.

Përmes këtij aplikacioni, përdorueset mund të dërgojnë një sinjal emergjence, i cili njofton personat e regjistruar në aplikacion që ndodhen gjeografikisht pranë tyre, në mënyrë që të ofrojnë ndihmë të menjëhershme.

Ky mjet shërben si një instrument shtesë mbështetës krahas linjës së këshillimit për gra dhe vajza “Alo 116”, si edhe strukturave të tjera institucionale si policia dhe shërbimet sociale.

Sipas organizatorëve, aplikacioni është falas dhe i disponueshëm në të gjithë botën në 18 gjuhë.

Aktualisht ai numëron mbi një milion shkarkime dhe rreth 340 mijë profile të verifikuara, të cilat mund të ofrojnë ndihmë për përdoruesit në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë.

Lançimi i këtij aplikacioni në Shqipëri synon të forcojë mekanizmat e mbështetjes dhe solidaritetit për gratë dhe vajzat që përballen me situata të dhunës apo rrezikut.