KINA “KORNIZA” GJUHËS! Miratohet ligji i ri për gjuhën mandarine për “unitetin etnik”

Kina ka miratuar një ligj të ri i cili detyron përdorimin e gjuhës mandarine në shkolla për të gjithë fëmijët, duke kufizuar përdorimin e gjuhëve të minoriteteve. Qeveria thotë se kjo do të ndihmojë integrimin dhe mundësitë për punë, ndërsa kritikët e cilësojnë si shkelje e të drejtave kulturore të tyre.

Kina ka miratuar një ligj të ri për atë që e quan “unitet etnik”, i cili sipas qeverisë synon të rrisë integrimin mes grupeve të ndryshme etnike në vend.

Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se ky ligj mund të kufizojë më tej të drejtat kulturore dhe gjuhësore të minoriteteve.

Në Kinë jetojnë 56 grupe etnike të njohura zyrtarisht. Më i madhi është grupi Han, që përbën mbi 90 për qind të popullsisë prej rreth 1.4 miliardë banorësh.

Përveç tyre ka edhe popuj të tjerë me gjuhë dhe kultura të ndryshme, si tibetianët, ujgurët myslimanë në Xinjiang dhe mongolët në Mongolinë e Brendshme.

Sipas ligjit të ri, të gjithë fëmijët në vend duhet të mësojnë gjuhën mandarine që para kopshtit dhe deri në përfundim të shkollës së mesme.

Më parë, në disa rajone me minoritete, nxënësit mund të ndiqnin pjesën më të madhe të mësimit në gjuhën e tyre amtare, si tibetisht, ujgurisht apo mongolisht, por tani kjo nuk do te jete me e mundur.

Qeveria kineze thotë se kjo politikë do t’i ndihmojë të rinjtë të kenë më shumë mundësi punësimi dhe të integrohen më mirë në shoqëri.

Sipas autoriteteve, përdorimi i një gjuhe të përbashkët është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për modernizimin e vendit.

Ligji gjithashtu parashikon masa ndaj prindërve ose kujdestarëve që, sipas autoriteteve, mund t’u mësojnë fëmijëve ide që konsiderohen të dëmshme për harmoninë etnike.

Këto politika lidhen me një strategji më të gjerë të qeverisë kineze për të krijuar një identitet kombëtar më të unifikuar, duke integruar më fort grupet etnike në kulturën dominuese Han.