Çmimet e karburantit në Gjermani bien për herë të parë që nga nisja e luftës me Iranin

Çmimet e karburantit në Gjermani kanë regjistruar një rënie, për herë të parë – në baza ditore – që nga momenti kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit muajin e kaluar, njoftoi sot organizata gjermane e automobilistëve, ADAC.

Sipas saj, çmimi i një litri benzine E10 arriti në 2,011 euro dje, duke rënë me 0,034 euro krahasuar me një ditë më parë.

Ndërkohë, nafta ishte mesatarisht 0,054 euro më e lirë, duke u shitur rreth 2,134 euro për litër.

Megjithatë, çmimet mbeten ende shumë më të larta – krahasuar me periudhën para nisjes së luftës më 28 shkurt.

Aktualisht, një litër benzinë E10 kushton rreth 0,23 euro më shumë, ndërsa nafta është rreth 0,39 euro më e shtrenjtë se para konfliktit.

Rritja e fortë e çmimeve lidhet kryesisht me tregun e naftës së papërpunuar, i cili u trondit nga lufta.

Transporti i energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit – një rrugë shumë e rëndësishme për furnizimet globale me naftë – është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të shqetësimeve për sigurinë – pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe reagimit të Teheranit.

Ndërkohë, “Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë” njoftoi dje se 32 vendet anëtare do të nxirrnin 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike.

Kjo është sasia më e madhe e liruar ndonjëherë në historinë e agjencisë.

Qeveria gjermane ka bërë gjithashtu të ditur se po planifikon të kufizojë rritjen e çmimeve në pikat e karburantit, duke lejuar që ato të rriten jo më shumë se një herë në ditë.

Sipas një analize të komisionit gjerman për konkurrencën, rritja e çmimeve në Bashkimin Evropian ka qenë më e lartë në Gjermani.

Pa përfshirë taksat dhe tarifat, çmimi i naftës në Gjermani është rritur me 44% këtë javë krahasuar me javën para luftës, ndërsa mesatarja e rritjes në BE është 29%.

Ndërkohë, benzina në Gjermani është rritur me 29%, ndërsa mesatarja në BE me 16%, çmimi i naftës së papërpunuar është rritur rreth 27% gjatë të njëjtës periudhë.

Çmimet e naftës kanë qenë shumë të paqëndrueshme këtë javë.

Të hënën, një fuçi e naftës “Brent crude” u tregtua përkohësisht mbi 120 dollarë, përpara se të binte ndjeshëm më vonë gjatë ditës.

Të martën dhe të mërkurën, çmimet ranë nën 100 dollarë për fuçi, ndërsa sot u rikthyen sërish me rreth 100 dollarë, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon pa një fund të dukshëm.