“MODELING” PËR EPSTEININ! Përdorej rrjeti për të rekrutuar vajza të reja nga Amerika e Jugut

Gra braziliane kanë rrëfyer për BBC se si rrjeti i financierit amerikan të ndjerë, Jeffrey Epstein, përdorte agjentë modelimi për të rekrutuar vajza të reja nga Amerika e Jugut. Disa nga gratë thonë se u përfshinë në marrëdhënie me Epstein kur ishin shumë të reja.

Një hetim i BBC Brazil ka zbuluar se rrjeti i financierit amerikan Jeffrey Epstein ka përdorur industrinë e modelingut për të rekrutuar vajza të reja nga Amerika e Jugut.

Një nga dëshmitaret, braziliania Gláucia Fekete, thotë se në vitin 2004, kur ishte vetëm 16 vjeç, u kontaktua nga agjenti francez i modeleve Jean‑Luc Brunel, një bashkëpunëtor i njohur i Epstein.

Sipas saj, Brunel vizitoi familjen e saj për të bindur nënën që ta lejonte të merrte pjesë në një konkurs modelimi në Ekuador. Megjithatë, gjatë udhëtimit, ajo filloi të dyshonte për situatën, pasi nuk i lejohej të kontaktonte familjen.

Në fund të eventit, Brunel i propozoi që të fluturonte drejt Nju Jorkut për një shfaqje mode me të gjitha shpenzimet e paguara. Por nëna e saj refuzoi kategorikisht.

Fekete thotë se sot beson se vendimi i nënës së saj e shpëtoi nga një situatë shumë e rrezikshme.

Prokuroria federale në Brazil ka hapur tashmë një hetim për të përcaktuar nëse ekzistonte një rrjet rekrutimi të lidhur me Epsteinin që operonte në vend.

Ndërsa disa nga gratë thonë se arritën të largohen dhe të rindërtojnë jetën e tyre, ato shprehen se shumë vajza të tjera mund të kenë qenë viktima të këtij sistemi shfrytëzimi.