Pochettino përfundon në listën e dëshirave për pankinën e Real Madridit

Mauricio Pochettino është emri i ri që shtohet në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e Real Madrid. Pozicioni i trajnerit aktual, Álvaro Arbeloa, konsiderohet i rrezikuar për shkak të performancave të fundit të skuadrës dhe me shumë mundësi në fund të sezonit do të largohet.

“ESPN” bën të ditur se drejtuesit e klubit madrilen po monitorojnë me kujdes situatën e Pochettinos, kontrata e të cilit me Kombëtaren e SHBA-ve përfundon pas Botërorit 2026.

Ky interesim shënon rikthimin e një dëshire të vjetër të klubit, pasi Pochettino ishte pranë kalimit në “Santiago Bernabéu” edhe në vitin 2019, përpara se bordi të vendoste për rikthimin e Zinedine Zidane.

Përveç teknikut argjentinas, në mediat spanjolle kanë qarkulluar javët e fundit edhe emrat e Jurgen Klopp, Unai Emery dhe Massimiliano Allegri.

Megjithatë, një vendim përfundimtar pritet të merret vetëm pas vlerësimit të rezultateve që Arbeloa do të arrijë në mbyllje të këtij sezoni.