UEFA, klubeve angleze: Ulni shpenzimet! Traverso: Shpenzimet e larta për lojtarët, dëmtojnë tregun
UEFA u ka kërkuar ekipeve elitare te Premier Ligës të ulin shpenzimet për futbollistet, pasi një gjë e tillë po krijon diz-balancë ne treg. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm ekipet angleze pritet shpenzojnë 85% të ardhurave për lojtarët, 15% më shumë sesa ekipet e tjera evropiane.
UEFA është e shqetësuar për shpenzimet e larta të ekipeve të Premier Ligës, dedikuar lojtarëve. Një gjë e tillë, erdhi pas hyrjes në fuqi të rregullit te ekipeve angleze për të rritur shpenzimet deri në 85%, 15% me shume sesa klubet elitare europiane.
Sipas organit qeverisës të futbollit në Evropë, ekipet që marrin pjesë në garat evropiane si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, nuk duhet të shpenzojnë më shume sesa 70% të të ardhurave për skuadrën.
Kjo pasi, një gjë e tillë do të krijonte diferenca mes klubeve të tjera dhe mund t'i detyronte ata të ndërmerrnin edhe rreziqe financiare për të konkurruar me klubet angleze.
Përfaqësuesi i UEFA-s, Andrea Traverso, theksoi se Premier Liga gjeneron rreth një të katërtën e të gjitha të ardhurave të klubeve evropiane. Dhe sipas tij, kjo fuqi e shtuar financiare mund të krijojë tension në tregun e transferimeve dhe të çojë në një përqendrim edhe më të madh të talenteve në Angli.
Ai shtoi se rreth 40% e lojtarëve më të vlefshëm në botë aktualisht luajnë në klubet angleze, ndërsa shumë prej tyre përfundojnë në stol ose jashtë formacionit.
Nga ana tjetër, Premier League e kundërshton këtë kritikë. Drejtori ekzekutiv i ligës, Richard Masters, ka deklaruar se rregullat e reja synojnë të ruajnë balancën konkurruese brenda kampionatit anglez dhe t’u japin klubeve që nuk marrin pjesë rregullisht në Evropë më shumë mundësi për të konkurruar për kualifikim.
Ndërkohë, disa nga ligat e tjera të mëdha evropiane po lëvizin drejt rregullave më të rrepta financiare.
Bundesliga gjermane ka vendosur një limit prej 70%, ndërsa në Spanjë La Liga vazhdon të zbatojë një model të fortë kontrolli financiar, ku çdo klub mund të shpenzojë vetëm në përputhje me të ardhurat që gjeneron.

