VERSTAPPEN NË GARËN 24-ORËSHE! Kampioni i Formula 1 do garojë në pistën legjendare gjermane
Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Max Verstappen, do të marrë pjesë në garën e famshme 24 Orë të Nürburgring. Piloti i Red Bull do të garojë me një Mercedes AMG GT në pistën legjendare Nordschleife në Gjermani. Pjesëmarrja e tij konsiderohet e rrallë për një pilot të këtij niveli në një garë jashtë Formula 1.
Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Max Verstappen, do të marrë pjesë në një nga garat më të njohura të qëndrueshmërisë në botën e automobilizmit, 24 Orë në Nurburgring.
Gara zhvillohet më 16 dhe 17 maj dhe bie mes dy garave të kampionatit të Formula 1, Çmimit të Madh të Miami dhe atij të Kanadasë.
Piloti 28-vjeçar i Red Bull do të drejtojë një Mercedes AMG GT në këtë event që zhvillohet në pistën e famshme, një cirkuit prej rreth 25 kilometrash në malet Eifel të Gjermanisë.
Vetë Verstappen e cilësoi pistën një vend të veçantë në botën e motorsportit, duke theksuar se gara 24-orëshe ka qenë prej kohësh në listën e dëshirave të tij.
Pjesëmarrja e një piloti aktiv të Formula 1 në një garë të tillë është mjaft e rrallë, veçanërisht për një kampion të nivelit të Verstappen.
Megjithatë, piloti holandez është i njohur për pasionin e tij për garat e qëndrueshmërisë dhe simulimet e motorsportit, duke treguar shpesh interes për kategoritë e makinave sport.
Shumë ekspertë të motorsportit besojnë se në të ardhmen Verstappen mund të marrë pjesë edhe në garën legjendare 24 Orë të Le Mans, e cila vitet e fundit ka fituar popullaritet të madh me hyrjen e markave si Ferrari, Peugeot, Aston Martin dhe Ford në kategorinë “supermakina”.
Verstappen ka kontratë me Red Bull deri në vitin 2028, ndërsa më parë është përfolur edhe për një lidhje të mundshme me programin e Mercedes në Formula 1.

