E ARDHMJA E LEVANDOSVSKIT E PAQARTË! Sulmuesi: Nuk jam ende i sigurtë për qëndrimin te Barcelona
Ylli i katalanasve Robert Levandovski, nuk e ka të sigurtë qëndrimin te Barcelona sezonin e ardhshëm. Në një intervistë të fundit, ai u shpreh se është në fazë analize dhe se nuk do të nxitohet në vendimin e tij.
E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona mbetet e paqartë. Sulmuesi polak pranoi se ende nuk ka marrë një vendim për vazhdimin e karrierës së tij, duke lënë të hapur mundësinë si për qëndrimin, ashtu edhe për largimin nga klubi katalanas në fund të sezonit.
Në një intervistë për mediet spanjolle, 37-vjeçari theksoi se aktualisht nuk është i sigurt për hapin e radhës dhe se vendimi do të vijë vetëm kur ta ndiejë momentin e duhur.
“Për momentin nuk mund të them asgjë për atë që do të vendos, sepse nuk jam as 50 për qind i sigurt se cilën rrugë dua të ndjek. Ndoshta pas tre muajsh do të duhet ta marr një vendim, por nuk jam i stresuar për këtë. Me moshën dhe përvojën që kam, nuk kam pse të nxitohem”, u shpreh Lewandowski.
Spekulimet për largimin e tij u shtuan gjatë muajve të fundit. Në janar, edhe bashkëshortja e tij la të kuptohej se ky mund të jetë sezoni i fundit i sulmuesit me fanellën e Barcelonës. Megjithatë, vetë lojtari nuk ka konfirmuar asgjë dhe preferon të presë deri në fund të sezonit për të vendosur për të ardhmen.

Pavarësisht paqartësisë për të ardhmen, Lewandowski e konsideron periudhën e kaluar te Barcelona si një eksperiencë shumë pozitive.
Ai theksoi se gjatë këtyre viteve ka kuptuar më mirë nivelin e përkushtimit dhe punës që kërkohet për ta mbajtur klubin në elitën e futbollit evropian.
“Të qenit pjesë e Barcelonës më ka lejuar të shoh nga afër se sa shumë punë dhe përkushtim nevojitet për ta çuar klubin përpara. Ka shumë ambicie dhe besim për të ardhmen e këtij projekti”, tha ai.
Sulmuesi polak mbërriti në “Camp Nou” në verën e vitit 2022 nga Bayern Munich, me iniciativën e presidentit Joan Laporta.
Gjatë kësaj periudhe ai është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës, duke realizuar 115 gola me fanellën katalanase dhe duke kontribuar në sukseset e ekipit në garat vendase.

