Kur gjumi gjatë një shërbese fetare ndëshkohej rëndë
Më 28 shkurt 1646, Roger Scott u gjykua në Massachusetts nën akuzat se e kishte zënë gjumi gjatë një shërbese kishtare. Ky akt, i cili në kontekstin e sotëm do të konsiderohej krejt i parëndësishëm, në realitetin e ashpër të kolonive puritane përfaqësonte një shkelje të rëndë të normave fetare dhe shoqërore të kohës.
Për këtë arsye, Scott u dënua fshikullim me kamxhik, një ndëshkim që përputhej me natyrën e drejtësisë së ashpër të kolonive të reja në Amerikën e shekullit të 17-të.
Në këtë periudhë, në kolonitë e New England-it, ligjet ishin thellësisht të ndikuara nga parimet fetare. Shoqëria puritane ishte ndërtuar mbi bindjen se komuniteti duhej të ishte i pastër dhe i përkushtuar ndaj Zotit, duke mos toleruar devijime nga norma të cilat mund të kërcënonin kohezionin e saj moral dhe fetar. Fjetja në kishë shihej si shenjë e neglizhencës shpirtërore dhe si një shkelje e respektit ndaj institucionit të shenjtë të adhurimit. Për këtë arsye, sjellje të tilla mund të ndëshkoheshin rëndë.
Sipas historianit Emory Washburn, administrimi i drejtësisë në kolonitë e hershme të New England-it ishte thellësisht i ngjyrosur nga klerikalizmi. Në veprën e tij "Për profesionin ligjor në New England" (1843), ai shkruan:
“Një tipar i veçantë, në administrimin e hershëm të drejtësisë në koloninë [New England], ishte karakteri klerik i ligjeve, veprave të gjykuara dhe dënimeve të shkaktuara. Kleri, në fakt, mbajti, për vite, një ndikim mbizotërues mbi çdo gjë në koloni; dhe deri në vitin 1682 një masë e pakët e ndonjë rëndësie u mor nga legjislativi, pa marrë miratimin e ministrave kryesorë.” – Emory Washburn, “Për profesionin ligjor në New England” (1843) 19 Revista Juriste dhe Ligji Amerikan 57.
Në këtë kontekst, ligjet e kolonisë nuk ishin thjesht kode civile, por edhe rregulla morale të bazuara në interpretimet biblike. Kleri kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në legjislacion dhe në vendimmarrjet e gjyqësorit, duke e shndërruar drejtësinë në një instrument të ruajtjes së ortodoksisë fetare. Deri në fundin e shekullit të 17-të, çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat koloniale kalonte përmes filtrit të autoritetit klerikal.
Ndëshkimi i Roger Scott për fjetjen në kishë nuk ishte një rast i izoluar, por një shprehje e një rendi të rreptë puritan që përpiqej të ruante disiplinën dhe devotshmërinë e anëtarëve të komunitetit. Ky episod historik na ndihmon të kuptojmë sesi ligji dhe feja ishin të pandashme në New England-in e hershëm dhe sesi format e ndëshkimit shërbenin si mjete për të përforcuar disiplinën shoqërore dhe fetare.
Përgatiti: Albert Vataj

