Filozofi norvegjez, Peter Wessel Zapffe, prezanton... Katër mekanizma për t’i shpëtuar barrës së reflektimit ekzistencial
Sipas filozofit norvegjez Peter Wessel Zapffe, njeriu është një “gabim tragjik” i evolucionit. Ai e konsideron vetëdijen njerëzore si të mbizhvilluar, një tejkalim biologjik që e ka nxjerrë qenien njerëzore jashtë ekuilibrit natyror.
Ndërsa kafshët jetojnë brenda instinktit, njeriu jeton në horizontin e pyetjeve: Pse ekzistoj? Çfarë është vdekja? A ka kuptim jeta?
Ky tejkalim i vetëdijes, aftësia për të reflektuar mbi fundin e vet, krijon ankthin themelor. Për Zapffen, tragjedia nuk është vuajtja fizike, por dija për fundin, për përkohshmërinë dhe për pamundësinë e një përgjigjeje përfundimtare. Njeriu kërkon justifikim metafizik, por universi mbetet indiferent.
Në esenë Den sidste Messias (1933), një përmbledhje sintetike e traktatit të tij më të gjerë Om det tragiske (1941), Zapffe formulon katër mekanizma mbrojtës që njerëzimi përdor për të shmangur këtë vetëdije të padurueshme.
I. Izolimi
“Një largim arbitrar nga vetëdija i mendimeve dhe ndjenjave shqetësuese.”
Izolimi është censura e brendshme. Mendja përjashton sistematikisht përmbajtje që do ta destabilizonin psikikisht individin. Mendimi për vdekjen, absurditetin, boshllëkun, zhvendoset, shtyhet, harrohet.
Ky mekanizëm funksionon në nivel individual dhe kolektiv. Shoqëria ndërton tabu rreth vdekjes, eufemizmat zëvendësojnë realitetin brutal, rutina e përditshme shërben si amortizator.
Izolimi nuk e zhduk të vërtetën, ai e mban në periferi të ndërgjegjes.
II. Ankorimi
“Fiksimi i pikave brenda ose ndërtimi i mureve përreth përleshjes së lëngshme të vetëdijes.”
Ankorimi është mekanizmi strukturor. Njeriu kapet pas një sistemi vlerash, një narrative, një ideali, një autoriteti transcendental. Këto shërbejnë si “qiej të brendshëm stabilizues”.
Shembuj të ankorimit kolektiv për Zapffen janë: Zoti, Kisha, Shteti, morali, fati, kombi, progresi, e ardhmja. Këto nuk janë thjesht institucione, janë struktura simbolike që e kornizojnë ankthin.
Ankorimi krijon ndjesinë e qëllimit. Pa të, vetëdija do të përballej drejtpërdrejt me zbrazëtinë.
Në këtë pikë, Zapffe qëndron në një linjë mendimi që nis me Arthur Schopenhauer, por ai është më radikal: ku Schopenhauer flet për vullnetin si burim vuajtjeje, Zapffe flet për vetëdijen si deformim fatal.
III. Shpërqendrimi
“Kufizimi i vëmendjes brenda kufijve kritikë duke e magjepsur vazhdimisht me përshtypje.”
Nëse izolimi është shtypje dhe ankorimi është strukturim, shpërqendrimi është hiperstimulim. Energjia psikike kanalizohet në punë, argëtim, teknologji, produktivitet, konsum. Mendja mbushet që të mos ketë kohë të mendojë.
Shoqëritë moderne, në leximin zapffian, janë fabrika shpërqendrimi. Ritmi i përshpejtuar i jetës është një strategji kolektive kundër reflektimit.
Kjo është arsyeja pse ankthi shfaqet me intensitet në momente heshtjeje: kur ndërpritet zhurma.
IV. Sublimimi
Transformimi i energjisë ekzistenciale në formë estetike.
Ky është mekanizmi më fisnik. Ankthi nuk mohohet, ai përkthehet në art, filozofi, poezi. Individët e distancojnë veten nga përvoja e drejtpërdrejtë dhe e shndërrojnë në objekt kontemplimi estetik.
Vetë Zapffe e konsideronte veprën e tij si akt sublimimi. Këtu ai afrohet me traditën tragjike evropiane dhe me sensibilitetin e Emil Cioran apo vizionin letrar të Thomas Ligotti.
Sublimimi është mënyra e vetme ku vetëdija nuk mohohet, por përpunohet.
Figura e “Mesias së Fundit”
Në fund të esesë, Zapffe paraqet figurën simbolike të “Mesias së fundit”: një njeri që e kupton plotësisht tragjedinë e vetëdijes dhe vendos të mos riprodhojë. Kjo është shprehja etike e antinatalizmit të tij: nëse jeta është e dënuar nga vetëdija e saj e tepërt, atëherë sjellja e një qenieje të re në botë është vazhdim i tragjedisë.
Këtu Zapffe është më i errët se Martin Heidegger dhe më i pashpresë se Albert Camus.
Heidegger e sheh vetëdijen për vdekjen si mundësi autenticiteti.
Camus flet për revoltë kundër absurditetit.
Zapffe nuk ofron revoltë, por ndërprerje.
Sistemi zapffian përmblidhet në një tezë të fortë:
Njeriu është kafsha që e di se do të vdesë, dhe kjo dije e bën tragjik.
Vetëdija, atributi ynë më i lartë, është njëkohësisht burimi i krizës sonë ontologjike. Katër mekanizmat, izolimi, ankorimi, shpërqendrimi, sublimimi, nuk janë zgjidhje; janë strategji mbijetese.
Në këtë kuptim, filozofia e Zapffe-së nuk është thjesht pesimizëm. Është një diagnozë antropologjike: një analizë e mënyrave se si kultura, feja, arti dhe shoqëria janë struktura mbrojtëse kundër tejkalimit të vetëdijes.
Përgatiti: Albert Vataj


