KËRKESAT PËR PËRJASHTIM/ PD: Balla 60 ditë jashtë Kuvendit. PS: Ndëshkim Bardhit e Balliut

PD kërkoi ndëshkimin e Taulant Ballës me 60 ditë jashtë Kuvendit për frazën me numrin 0900 në një replike me Albana Vokshin. PS ndërkohë kërkoi ndëshkimin e Gazmend Bardhit e Klevis Balliut

Partia Demokratike kërkon 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit të PS, Taulant Balla për këtë frazë me të cilën iu drejtua deputetes Albana Vokshi në seancën e të enjtes.

Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, PD flet për gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj ligjvënëses Vokshi.

Demokratët thonë më tej se kjo gjuhë nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore dhe kërkesa e tyre nuk ka si qëllim vetëm ndëshkimin e Ballës, por edhe të përçojë mesazhin se për Kuvendin çdo formë diskriminimi mbi baza gjinore është e papranueshme.

Grupi i PS ndërkohë kërkoi ndëshkimin me 10 ditë përjashtim nga Kuvendi të Gazmend Bardhit dhe 1 muaj për Klevis Balliun.

I pari u përfshi në replika të forta me Ballën e Peleshin në sallë, ndërsa Balliu pati një moment përplasje me kreun e grupit të PS ndërsa tentoi t’i shkulë mikrofonin.

Socialistët argumentuan se deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme.

Sekretariati i Etikës pritet të mblidhet në vijim për të shqyrtuar kërkesat