BARAZIA GJINORE, PRIORITET KOMBËTAR! UN Women: Duhet më tepër! Gonzato: Ende ka mangësi

Institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë më shumë masa për të përmirësuar aksesin e grave në drejtësi. Në një konferencë të organizuar në Tiranë, u theksua se megjithëse janë bërë përparime ligjore, sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, kërkohet më tepër barazi gjinore dhe akses të grave në drejtësi.

Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe UN Women në Shqipëri organizuan një konferencë ku u diskutua për përparimin dhe sfidat që mbeten në aksesin e grave në drejtësi.

UN Women bëri thirrje për më shumë veprim, duke theksuar se kjo mbetet një prioritet kombëtar dhe pjesë e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili theksoi se barazia gjinore është një prioritet i rëndësishëm dhe se BE po bashkëpunon me institucionet shqiptare për të përmirësuar aksesin e grave në drejtësi, si edhe për të mbështetur reformat dhe kuadrin ligjor në këtë fushë.

Silvio Gonzato, ambasador i BE në Shqipëri: “Bashkimi Europian në Shqipëri po bashkëpunon me të gjithë partnerët për të përmirësuar aksesin e grave në drejtësi. Shumë gra përballen me shfrytëzim në punë, orë të gjata pune dhe përgjegjësi familjare, ndërsa hasin vështirësi edhe në siguri, shërbime dhe drejtësi. Reformat kanë sjellë përmirësime, por ende ka mangësi në legjislacion dhenë zbatimin e tij.”

Në fokus të diskutimeve ishin edhe dy ligje të rëndësishme për këtë fushë: ligji për barazinë gjinore dhe ligji për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e grave. Sipas partnerëve ndërkombëtarë, sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë dhe forcimi i ndihmës ligjore për gratë që kërkojnë drejtësi.