HAKERIMI I SPAK/ Gjykata kalon për gjykim grupin kriminal të ish-kreut të burgjeve
Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e hakerimit të kompjuterave të SPAK, ku të pandehur janë ish drejtori I burgjeve dhe dy bashkëpunëtor. Ata akuzohen se vepruan si grup kriminal
Gjykata e posaçme ka pranuar kërkesën SPAK për kalimin për gjykim të dosjes së hakerimit të kompjuterave të Prokurorisë së Posaçme, nga tre persona të akuzuar që vepruan si pjesë e një grupi kriminal.
Ish-zyrtari i burgjeve Agim Ismaili qëndron në krye, ndërsa dy të tjerët e dyshuar janë Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni. Sipas hetimit Ishte Arnold Rrokaj që që arriti të marrë në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndajnë ato më pas tek persona të tretë.
Gjoni dhe Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu edhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore. Si rezultat i veprimeve hetimore akuzat u zgjeruan edhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të ish-drejtorit të burgut, Agim Ismaili.
Ky i fundit pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.
Ish-drejtori i burgjeve dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për tre vepra penale: përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, kryerje e veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe grup kriminal.
Sipas SPAK, hakerët tentuan të merrnin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë ka pasur tentativa për të ndërhyrë edhe në kompjuterin e Altin Dumanit, por pa rezultat.
