"Aleancë me Sali Berishën?" - Lideri italian i Futuro Nazionale: Pse jo! Me të gjithë ata që ndajnë vlerat tona

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët e huaj në Itali, lideri i Futuro Nazionale, Roberto Vannacci, paraqiti qartë identitetin dhe parimet e partisë së sapoformuar.

Në këtë takim me median ndërkombëtare ishte e pranishme edhe gazetarja e SYRI-t, Alba Kepi, e cila drejtoi pyetje mbi orientimin politik, prioritetet dhe bashkëpunimet e mundshme në nivel europian dhe rajonal.

Në fjalën e tij, Vannacci deklaroi: “Futuro Nazionale është një parti e djathtë e vërtetë, krenare, që nuk turpërohet të bëjë të djathtën. Duam të jemi zëri që kujton se ka ideale të panegociueshme.”

Ai hodhi poshtë gjithashtu zërat se partia e tij do të kishte ndihmuar të majtën, duke e cilësuar këtë si një “falsitet”, dhe theksoi se i drejtohet atyre votuesve të zhgënjyer të djathte që prisnin më shumë nga qeverisja aktuale.

“Nuk kam humbur asnjë ditë në Bruksel dhe do te përfaqësoj deri në fund të mandatit tim të gjithë ata që më kanë votuar,” u shpreh ai.

"Jam për për një Europë të popujve sovranë, popujve sovranë e vendeve sovrane", u shpreh ai.

Vannacci theksoi se Futuro Nazionale lind si një forcë e djathtë e qartë, krenare për identitetin e saj dhe e vendosur për të mos bërë kompromis mbi vlerat themelore.

Sipas tij, partia synon të përfaqësojë ata qytetarë që ndihen të papërfaqësuar nga politika tradicionale dhe që kërkojnë një drejtim më të fortë sovranist, identitar dhe konservator.

Në thelb të programit qëndron sovraniteti kombëtar si parim i panegociueshëm. Vendimet politike duhet të merren në funksion të interesit të kombit dhe qytetarëve, duke respektuar bashkëpunimin europian, por pa hequr dorë nga identiteti dhe autonomia vendimmarrëse.

Një tjetër shtyllë qendrore është politika e imigracionit. Partia mbron kontroll të rreptë të kufijve, ndalim të imigracionit të paligjshëm dhe rregulla të qarta për azilin dhe integrimin. Sipas këtij vizioni, integrimi është i mundur vetëm mbi bazën e respektimit të ligjit, kulturës dhe vlerave të vendit pritës.

Programi përfshin gjithashtu mbrojtjen e familjes si themel i shoqërisë, mbështetje për lindshmërinë dhe politika sociale që forcojnë strukturën tradicionale familjare. Ruajtja e identitetit kulturor dhe historik konsiderohet element thelbësor për stabilitetin e një kombi.

Në planin ekonomik, Futuro Nazionale promovon ekonomi të lirë tregu, ulje burokracie, mbështetje për biznesin vendas dhe forcim të shtresës së mesme. Meritokracia dhe efikasiteti administrativ paraqiten si alternativa ndaj klientelizmit dhe centralizimit të tepruar.

Siguria dhe rendi publik përbëjnë një tjetër prioritet, me theks në zbatim të barabartë të ligjit dhe zero tolerancë ndaj kriminalitetit.

Në këtë kontekst politik, ideja e një bashkëpunimi me të djathtën shqiptare përfshirë Sali Berishën shihet si e mundshme nëse ekziston një komunitet real vlerash. Aleancat, sipas këtij vizioni, nuk ndërtohen mbi interesa të përkohshme, por mbi parime të përbashkëta: sovranitet, identitet, ekonomi të lirë dhe rend.

E sa i takon rrugëtimin europian të Shqipërisë Vannaci u përgjigj se "Shqipëria është një vend pranë Italisë ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh totalisht i integruar e uroj të ketë një rrigëtim të sukseshëm e raporti mes dy vendeve të jetë sa më frutdhënës."