Interpelanca me Braçen, Salla: Asnjë ankesë për zaptim toke përgjatë Semanit e Shkumbinit
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot në Kuvend se, “nuk ka asnjë kërkesë për zaptim toke apo tjetërsim të saj, përgjatë lumit Seman e Shkumbin, në bashkinë Lushnjë dhe Divjakë”.
Në përgjigje të interesit dhe shqetësimit të ngritur nga deputeti Erion Braçe, për këtë çështje, Salla bëri të ditur se, “sipas dokumentacionit kadastral, përgjatë lumit Seman rezulton pasuria me zërin kadastral “pyll”. Ndërsa sqaroi se në fushën e veprimtarisë së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfshihet vetëm toka bujqësore, me zërat kadastralë “arë”, “pemë drutore” dhe “vreshta””.
“Toka bujqësore përgjatë lumenjve Seman e Shkumbin në Lushnjë e Divjakë zë një sipërfaqe 230 hektarë të ndara në 13 parcela. Këto toka janë në pronësi private. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë nga subjekt privat apo shtetëror, njësitë e pushtetit për zaptim apo tjetërsim prone”, theksoi ministri.
Lidhur me pyetjen nëse janë identifikuar raste të tjera zaptimi ose tjetërsimi, Salla u shpreh se “nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë e tillë”.
Sa i përket evidentimit të rasteve të tjera të mundshme të grabitjes apo tjetërsimit të tokës përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin, ministri bëri të ditur se tokat bujqësore në këto zona zënë një sipërfaqe prej rreth 230 hektarësh, të ndara në 13 parcela, në territorin administrativ të bashkive Lushnjë dhe Divjakë.
Salla shpjegoi se në nëntor 1998, ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Rrethit Lushnjë, 79 hektarë nga kjo sipërfaqe ua ka kthyer fizikisht dy subjekteve përfituese.
“Këto toka janë në pronësi private, me vendndodhje në fshatrat Ngurrëz e Vogël, Çermë Shkumbin, Çermë e Vogël, Çermë Proshk dhe Çermë e Sipërme, me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore dhe të ndara sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
Sipas ministrit, pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe në Drejtorinë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier, nuk rezulton të jetë administruar asnjë kërkesë nga subjekte private apo publike, për zaptim apo tjetërsim të tokës bujqësore që shtrihet përgjatë rrjedhës së lumenjve Seman dhe Shkumbin në territorin e bashkive Lushnjë dhe Divjakë.
Në përfundim, Salla theksoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vlerëson çdo shqetësim që lidhet me mirëadministrimin e tokës bujqësore dhe mbetet e angazhuar për zbatimin me përgjegjësi të kuadrit ligjor në fuqi për tokën bujqësore.

