Komisioni i Ekonomisë, rekomandime për ligjin e akcizave mbi duhanin, Ekonomi: Duhet të reagojnë edhe ministritë

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat prezantoi sot rekomandimet e draftraportit të kontrollit post-legjislativ për ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me fokus të veçantë mbi specifikimin e akcizës për duhanin.

Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, nënvizoi se rekomandimet kryesore lidhen me plotësimin e kuadrit nënligjor, ku Ministria e Financave dhe Drejtoria e Doganave duhet të hartojnë brenda vitit 2026 udhëzime për prodhuesit në shkallë të gjerë dhe përfaqësuesit fiskalë.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm përfshin luftën kundër kontrabandës, duke propozuar rishikimin e Kodit Penal për të rritur efektivitetin e sanksioneve dhe parashikimin e konfiskimit të mjeteve si dhe ndalimin e përhershëm të veprimtarisë për shkelësit.

Për mbështetjen e fermerëve duhan-kultivues, draftraporti sugjeron që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave të hartojnë brenda vitit 2026 një program specifik subvencionimi, që përfshin mbështetje financiare direkte, kredi preferenciale dhe siguri bujqësore. Gjithashtu, rekomandohet që kompanitë përpunuese të kontraktojnë minimalisht 40–50% të nevojave të tyre nga fermerët vendas.

Raporti trajton edhe produktet alternative të duhanit, duke kërkuar përcaktimin e nivelit minimal të nikotinës dhe ndalimin e përdorimit të duhanit nga personat nën 18 vjeç, si dhe kufizimin e reklamimit të këtyre produkteve. Për shëndetin publik, rekomandohet të përdoret 10% e fondit të akcizave për fushata ndërgjegjësuese dhe parandaluese për të rinjtë.

Një grup pune ndërinstitucional do të mblidhet çdo tre muaj për të diskutuar mbi ecurinë e masave dhe politikat për parandalimin e përdorimit të duhanit. Përveç kësaj, raportohet se do të diferencohen akcizat për prodhimin vendas dhe importin deri në vitin 2027, për të forcuar industrinë vendase dhe për të modernizuar kapacitetet e saj.

Draftraporti thekson gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për ndalimin e kontrabandës së duhanit dhe rritjen e cilësisë së prodhimit vendas përmes përmirësimeve teknologjike dhe standardeve të kontrollit.

Komisioni vendosi miratimin e draft raportit në seancën e radhës, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të këtyre masave për të siguruar kontroll të rreptë fiskal, mbështetje për fermerët dhe mbrojtje të shëndetit publik.