'The Telegraph' rendit Shqipërinë ndër destinacionet më tërheqëse në Europë, Rama: Nga Jonit te Alpet, një vend për t’u zbuluar
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion turistik i përballueshëm dhe autentik në Europë.
Së fundmi, prestigjiozja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë vendit tonë, duke e përshkruar si një alternativë më të lirë për pushime, me bregdet të bukur, qytete historike dhe ushqim tradicional me çmime shumë të ulëta.
Në shkrim përmendet qyteti i Beratit, i njohur si “Qyteti i Një Mijë Dritareve”, ku një darkë me disa pjata tradicionale shqiptare kushton vetëm rreth 9 paund. Gazetarja e udhëtimeve Heidi Fuller-Love e përshkruan Shqipërinë si një vend ku mund të gjesh resorte bregdetare pa turma turistësh, hotele me çmime të mira dhe kuzhinë lokale shumë të shijshme.
Artikulli ndalet edhe te rritja e interesit për Shqipërinë në vitet e fundit. Në vitin 2024 vendin e vizituan rreth 11.7 milionë turistë të huaj, një rritje e madhe krahasuar me 6.2 milionë vizitorë në vitin 2019.
Në shkrim përmenden disa nga destinacionet më të vizituara në vend, si Tirana, Kruja, bregdeti i Adriatikut, lagunat pranë Patokut, si dhe qytetet historike Berat e Gjirokastër. Po ashtu përmenden edhe parqet arkeologjike si Butrinti dhe Apolonia, që sipas autores ofrojnë eksperienca unike për vizitorët.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë shkrim një tjetër vlerësim ndërkombëtar për turizmin shqiptar, duke theksuar se vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit ndërkombëtar.
“Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë. Prestigjiozia britanike "The Telegraph" e rendit vendin tonë ndër destinacionet më të përballueshme dhe më tërheqëse në Europë, duke vlerësuar jo vetëm bukuritë natyrore dhe qytetet historike, por edhe mikpritjen shqiptare dhe kostot konkurruese për vizitorët.
Nga brigjet e Jonit e Adriatikut, te Alpet madhështore dhe trashëgimia jonë kulturore, Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit ndërkombëtar si një zgjedhje autentike, e bukur dhe e përballueshme”, tha Rama.
Artikujt në mediat e huaja kanë ndikuar dukshëm në rritjen e interesit për Shqipërinë, e cila vitet e fundit po përmendet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet që duhet vizituar në Europë.

