Ceko: Duhet një treg rajonal dhe të adaptohet euro, leku pengon bashkimin ekonomik
Në një kohë kur konfliktet ndërkombëtare shtojnë pasigurinë ekonomike globale, Shqipëria ka një mundësi historike për të kthyer krizën në avantazh. Sipas një analize të detajuar nga Enriko Ceko, ekspert ekonomie, vendi ynë mund të përfitojë strategjikisht nga zhvillimet aktuale, me kusht që të ndërmarrë hapa të shpejtë dhe të guximshëm.
Një nga pikat kyçe të kësaj strategjie lidhet me zinxhirët e furnizimit. Në periudha paqeje, këto zinxhirë kontrollohen nga fuqitë e mëdha botërore si SHBA, Kina dhe Britania.
Megjithatë, në kohë lufte, këto rrugë tregtare tradicionale ndërpriten, duke krijuar një vakum që Shqipëria mund ta mbushë. Duke shfrytëzuar pozicionin e saj strategjik mes Lindjes dhe Perëndimit, vendi mund të transformohet në një nyje logjistike thelbësore për Ballkanin, Mesdheun dhe Evropën. Për këtë, theksohet nevoja urgjente për një “diplomaci ekonomike” aktive, ku ambasadorët të promovojnë Shqipërinë si një korridor të sigurt dhe efikas tregtar.
Paralelisht, kriza energjetike globale duhet të shërbejë si një shtysë për Shqipërinë që të braktisë varësinë nga energjia fosile dhe të investojë masivisht në burimet e rinovueshme. Potenciali për ferma diellore dhe energji të erës është i madh dhe duhet shfrytëzuar për të garantuar pavarësi energjetike dhe për të eksportuar energji të pastër. Po ashtu, Shqipëria duhet të përfitojë nga rritja e çmimeve të mineraleve në tregjet botërore, duke shfrytëzuar burimet e saj natyrore.
"Rreth 300 mijë hektarë tokë bujqësore që aktualisht nuk kultivohen. Në një botë ku zinxhirët e furnizimit të drithërave janë të kërcënuar, vënia në punë e kësaj toke mund ta kthejë Shqipërinë në një furnizues të rëndësishëm, duke përmbushur nevojat e brendshme dhe duke eksportuar në tregjet ndërkombëtare."
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
