TË ARDHURAT PERSONALE NGA BIZNESI/ Tatimet: 31 Marsi është afati i fundit për plotësimin e deklaratës TAPB
Drejtoria e Tatimeve kujtoi se 31 marsi 2026 është afati i fundit për dorëzimin e deklaratës së re për të ardhurat personale nga biznesi të realizuara gjatë vitit 2025. Formulari i ri ndan qartë të ardhurat, shpenzimet dhe zbritjet, duke përcaktuar norma të diferencuara tatimi për punësimin dhe aktivitetin e biznesit.
Për herë të parë, të ardhurat personale nga biznesi do të deklarohen përmes një deklarate të posaçme, me afat dorëzimi deri më 31 mars 2026.
Deklarata e re për Tatimin mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) do të zbatohet për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2025, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar kategoritë që kanë detyrimin për deklarim, risitë dhe përfitimet që sjell ky formular i ri.
Sipas administratës tatimore, deklarata e re TAPB është më e detajuar dhe më e strukturuar, duke ndarë qartësisht të ardhurat, shpenzimet dhe zbritjet tatimore, me synimin për një përllogaritje më të saktë dhe më të drejtë të detyrimit fiskal.
Në pjesën e parë pasqyrohen të ardhurat nga punësimi dhe ato nga biznesi. Nëse për vitin 2025 deklarohen të ardhura nga punësimi, nuk mund të plotësohen njëkohësisht rubrikat për të ardhura nga biznesi dhe anasjelltas.
Të ardhurat nga biznesi kategorizohen në të ardhura nga aktiviteti kryesor, aktivitete të tjera apo investime, përfshirë dividendë dhe të ardhura të tjera financiare.
Pjesa e dytë e deklaratës përfshin zbritjet tatimore, si fëmijët në ngarkim, shpenzimet arsimore dhe kontributet për pensione private, kur plotësohen kriteret ligjore përkatëse.
Tatimpaguesit me qarkullim deri në 10 milionë lekë kanë të drejtë të zgjedhin regjimin e veçantë të zbritjes së shpenzimeve, i cili llogaritet mbi bazën e përqindjeve të përcaktuara sipas llojit të aktivitetit dhe zbatohet për tre vite radhazi.
Nga diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve përcaktohet fitimi ose humbja tatimore, mbi të cilën aplikohet norma përkatëse e tatimit.
Për të ardhurat nga punësimi zbatohet tatimi progresiv: 13% për të ardhurat deri në 2 040 000 lekë në vit dhe 23% për shumën mbi këtë prag. Ndërsa për të ardhurat nga biznesi, normat në fuqi deri në vitin 2029 janë: 0% për të ardhurat deri në 10 milionë lekë, 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimin mbi 14 milionë lekë.
Deklarata e re përfshin gjithashtu raportimin e tatimit të huaj të mbajtur në burim, si dhe tatimin e shtyrë, duke e bërë formularin më gjithëpërfshirës në raport me detyrimet fiskale të tatimpaguesve.
