Caktimi i masës së sigurisë për 4 protestuesit e PD-së/ Kalaja: U pranuan akuza të paligjshme, vendimi nën presion politik
Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga qelia katër protestuesit e arrestuar pas protestës opozitare të së shtunës, duke u caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj.
Për shtetasit Leonardo Marku, Robespier Dervishaj, Doris Rista dhe Sergei Rrapo, trupi gjykues vlerësoi se nuk kishte vend për mbajtje në arrest, por vendosi që ata të paraqiten periodikisht pranë autoriteteve gjatë vijimit të hetimeve.
Për këtë çështje reagoi edhe avokatja Adriana Kalaja, e cila pretendoi se prokuroria ka paraqitur akuza të paligjshme dhe se gjykata i ka pranuar ato.
Kalaja theksoi se, sipas saj, në dosje nuk ka prova që lidhin të arrestuarit me veprat penale të pretenduara dhe ngriti shqetësimin për presion ndaj sistemit të drejtësisë.
"Kjo çështje, ku vetë prokurori i caktuar për çështjen konkrete, hiqte shumicën e akuzave që ngrinte policia e kriminalizuar, por i sillte protestuesit në gjykatë vetëm me akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit.
Ndërkohë sot prokurori, erdhi me të gjitha akuzat e paligjshme të ngritura nga narkopolicia dhe fatkeqësisht edhe gjykata i pranoi ato, duke shpallur si të ligjshëm jo vetëm arrestimin, por nga ana tjetër edhe duke pranuar detyrimin për paraqitje për të katërt protestuesit, dy herë në muaj, duke mos vërtetuar asnjë provë brenda dosjes, asnjë provë që lidhte prej të arrestuarve dhe mbi të gjitha kush ishte pasoja qëkëta të arrestuar kishin ngritur qoftë dhe dyshimin e arsyeshëm për tu mbajtur gjatë hetimeve në masën e sigurisë 'detyrim për paraqitje'.
Gjyqtarët dhe prokurorët janë në një presion të madh nga kryeministri, madje në protestën e fundit ai nuk ishte i dëshpëruar për gjyqësorin por bëri thirrje që gjykatat duhet të dënojnë personat që kanë ushtruar dhunë ndaj vilës së atit të tij shpirtëror", u shpreh Adriana Kalaja.