"E ka quajtur brend ndërkombëtar të korrupsionit"/ Berisha: Blogeri i huaj e ka përmendur Kryeministrin si shembulli kryesor
Sali Berisha sot në foltoren para Kryeministrisë ka folur mbi korrupsionit në vend.
Ai solli në vëmendje një bloger afrikan, Samson Oxhiajo, i cili e ka quajtur Ramën “brend ndërkombëtar të korrupsionit”.
Berisha tha se ky bloger ka fituar famë ndërkombëtare për mënyrën se si ka shprehur mendimin për politikanët dhe korrupsionin, duke e përmendur Ramën si shembull kryesor.
“Samson Oxhiajo e shpalli Edi Ramën brend ndërkombëtar të korrupsionit. Ai tha se lufta kundër korrupsionit nga Rama sjell më shumë probleme se sa vetë korrupsioni. Shqiptarët duhet të dinë realitetin dhe të kuptojnë se kush po drejton vendin.”- tha kryedemokrati.
Berisha foli edhe për mesazhet që, sipas tij, qytetarët shqiptarë dhe miqtë ndërkombëtarë kanë sjellë pas vizitave në vend. Ai theksoi se shpresa mbetet tek opozita dhe qytetarët për ndryshim.
“Ne u shokuam nga ato që panë dhe dëgjuan njerëzit që erdhën nga jashtë. Në zyrat e qeverive të tyre kuptuan më në fund realitetin e narkoshtetit dhe vjedhjeve të Edi Ramës. Në këtë kuptim, shpresa e vetme jemi ne.”- u shpreh lideri i PD-së.
Berisha i bëri thirrje qytetarëve të informohen dhe të jenë pjesë e ndryshimit, duke e cilësuar opozitën si shpresën e vetme për vendin.
FJALA E PLOTË E SALI BERISHËS:
A e dini se çfarë ka ndodhur?
Një bloger afrikan, Samson Oxhiajo, që u bë i famshëm në botë- dëgjojeni edhe ju o policë për të marrë vesh se cili është njeriu që i mbroni zyrën- që u bë i famshëm në mbarë botën sepse shkroi dy rreshta, filan politikan thotë se korrupsioni është i dëmshëm kur nuk jam unë.
Me këtë frazë, Samson pushtoi hapësirën komunikative të botës.
Por çfarë shkruan Oxhiajo para dy ditësh në blogun e tij?
Ai shpall superyll të korrupsionit Edi Ramën.
Edi Rama, informon ai në blogun e tij të famshëm, ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se sa vetë korrupsioni.
Dhe thotë, pra dëgjojeni, Edi Rama është brendi ndërkombëtar i korrupsionit.
Miqtë tanë, që u kthyen në vendet e tyre, që ishin këto ditë, çfarë mesazhesh sjellin?
Sigurisht tejet të veçanta.
U shokuam nga ato që panë në Shqipëri.
U shokuam nga ato që dëgjuam në Shqipëri.
Dhe tani në zyrat e lartë të qeverive të tyre na thonë, keni të drejtë, keni shumë të drejtë, e kuptojmë që kemi qenë të painformuar për narkoshtetin shqiptar, për shtetin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës.
Ua thashë këto se shqiptarët duhet të dinë realitetin.
Por e thashë këtë edhe për një arsye tjetër, se në kuptimin më absolut të fjalës, shpresa e vetme jemi ne.

