UDHËZIMET NË RAST RREZIKU! Çfarë po ndodh me shqiptarët në Katar? Kaleci: Dy numra telefoni për çdo nevojë
I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Katar, Ermal Kaleci, ka bërë të ditur se situata për rreth 200 shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje është e qetë, por ka theksuar nevojën për ndjekjen me rigorozitet të protokolleve të sigurisë pas sulmeve të fundit në rajon.
Në një komunikim për “Ora News”, Kaleci ka dhënë detaje mbi masat e marra nga përfaqësia diplomatike dhe ka përcjellë udhëzime të qarta për komunitetin shqiptar.
Sipas Kalecit, ndonëse në Katar janë regjistruar katër valë sulmesh, situata e përgjithshme mbetet nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë shqiptarët të evitojnë daljet e panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke ndjekur punën nga distanca, një masë kjo e zbatuar prej tri ditësh edhe nga autoritetet vendase për sektorin publik dhe privat.
Ambasada shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë për të qenë sa më pranë shtetasve.
Përfaqësia është e hapur 24/7 dhe ka publikuar dy numra telefoni personalë emergjence për çdo nevojë:
* **00977477180778**
* **0097430079922**
Gjithashtu, është krijuar një grup i dedikuar në WhatsApp ku janë përfshirë të gjithë shqiptarët në Katar, për të shpërndarë në kohë reale informacionet dhe udhëzimet më të fundit.
Të gjitha njoftimet zyrtare publikohen rregullisht në faqen e Facebook-ut "Albania Embassy Doha", si dhe në platformën X.
Lidhur me mundësinë e një evakuimi, Kaleci ka sqaruar se nuk ka një alarm të nivelit të lartë që të kërkojë largimin e menjëhershëm të shtetasve.
Megjithatë, për ata që dëshirojnë të kthehen, ambasada ka krijuar një databazë për regjistrimin e emrave. Rikthimi i fluturimeve mbetet në pritje të një vendimi nga autoritetet e aviacionit civil të Katarit, vendim i cili pritet të komunikohet së shpejti.
Një familje shqiptare, e cila ndodhej në Katar për turizëm, ka kontaktuar me ambasadën dhe është në gjendje të sigurt.
Ata janë akomoduar në hotel nga kompania ajrore dhe po presin rihapjen e hapësirës ajrore për t'u kthyer në destinacionin e tyre.
Zyrtari diplomatik ka theksuar se komuniteti shqiptar në Katar përbëhet kryesisht nga profesionistë të fushave si mjekësia, inxhinieria dhe teknologjia e informacionit, të cilët janë përshtatur me masën e punës nga shtëpia.
Ai ka ripërsëritur thirrjen për qetësi dhe ndjekjen e kanaleve zyrtare të informacionit, duke siguruar se ambasada mbetet në dispozicion të plotë për çdo shtetas shqiptar.

