Kërcënoi punonjësit, Gjykata e Durrësit lë në burg ish-drejtorin e AKU-së

Gjykata e Durrësit ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e Elton Varakut, ish-drejtorit të AKU-së Durrës, dhe ka caktuar ndaj tij masën “Arrest me burg”.

Varaku u arrestua një ditë më parë nga Policia, pasi akuzohej për shkatërrim të objekteve të punës dhe përdorim të gjuhës kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit.

Sipas informacioneve, pas marrjes së vendimit për largimin nga detyra, Varaku ka shfaqur probleme në sjellje. Ai është kthyer në zyrë duke shpërthyer në veprime të dhunshme, ka shkatërruar kompjutera dhe objekte të ndryshme pune, duke përdorur gjithashtu gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit.

Gjatë seancës, mësohet se Varaku ka kërkuar falje, ndërsa avokati u shpreh se ishte një reagim i çastit, megjithatë gjykata ka vendosur ta lërë në qeli.