Rama ndan pamjet nga punimet në aksin Elbasan–Qafë Thanë: Rrëshqitja në aksin e vjetër, asnjë lidhje me investimin e ri
Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga kantieri i aksit të ri të Korridorit VIII (Elbasan – Qafë Thanë), duke theksuar ecurinë e punimeve dhe standardet europiane të zbatimit të projektit të përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se në terren po zhvillohet “një punë kolosale e shembullore e standardeve europiane”, ndërsa në reagim i referohet edhe debatit
publik mbi një rrëshqitje toke në segmentin e vjetër të rrugës, duke thënë se ajo “nuk ka asnjë lidhje me investimin e ri madhor”.
Rama thotë se rrëshqitja e dheut që bllokoi përkohësisht disa qindra metra të rrugës ekzistuese është një fenomen i shkëputur nga projekti i ri, i cili po ndërtohet sipas parametrave bashkëkohorë të infrastrukturës rrugore.
“Ndërkohë që 700 tenxheret politike mediatike e mbytën miletin me bombat artizanale mbi segmentin prej disa qindra metrash të rrugës së vjetër, të cilën e bllokoi rrëshqitja e tokës, pa asnjë lidhje, hiç, zero, me investimin e ri madhor”, shkruan kreu i qeverisë në reagim.
Një komponent i rëndësishëm sipas kryeministrit është edhe mbrojtja lumore përgjatë segmentit
Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Lekaj, e cila po zbatohet në disa lote dhe faza.
Ndërkohë Autoriteti rrugor Shqiptar thotë se vijon 24 orë puna për rikthimin e qarkullimit normal drejt juglindjes pas rrëshqitjes së dherave në vendin e quajtur Arrat e Gurrës në aksin Librazhd Prrenjas.
Aktualisht ndërhyrja synon pastrimin e sipërfaqes së trupit të rrugës së rrëshqitur, ndërsa ka përfunduar devijimi i rrjedhes së lumit pranë zonës.
ARRSH thotë se është pritet të fillojnë punimet për trupin e rrugës alternative pas përfundimit të rishikimit të projektit në këtë zonë.

