Anëtari i jurisë së çmimeve BAFTA jep dorëheqjen: Nuk pajtohem me...

Anëtari i jurisë së Çmimeve të Akademisë Britanike të Filmit (BAFTA), Jonte Richardson, ka dhënë dorëheqjen, duke akuzuar organizatorët për mungesë reagimi të duhur ndaj një incidenti gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Sipas deklaratës së tij, dorëheqja erdhi pas mënyrës se si u trajtua një moment i ndjeshëm që përfshinte përdorimin e fjalës “Negro” (Zezak) nga John Davidson, i cili vuan nga sindroma Tourette.

Në një postim në profilin e tij në LinkedIn, Richardson shkroi:

“Pas një vetëshqyrtimi të plotë, ndihem i detyruar të jap dorëheqjen nga Juria e Talenteve të Rinj të BAFTA-s. Mënyra se si organizata e trajtoi incidentin me sindromën Tourette dhe fjalën ‘N’ mbrëmë në ndarjen e çmimeve ishte plotësisht e pafalshme. Nuk mund dhe nuk do të kontribuoj kohën, energjinë dhe ekspertizën time në një organizatë që ka dështuar vazhdimisht të mbrojë dinjitetin e mysafirëve, anëtarëve dhe komunitetit krijues afrikano-amerikan.”

Ai e cilësoi situatën si një “turp të madh”, veçanërisht duke pasur parasysh se edicioni i këtij viti i BAFTA-s përfshinte një numër të konsiderueshëm artistësh afrikano-amerikanë, përfshirë edhe kastin e Just Act Normal.

Në vijim të reagimit të tij, Richardson theksoi se refuzimi për të pranuar dëmin e shkaktuar ndaj komunitetit afrikano-amerikan dhe komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, si dhe mungesa e një kërkimfaljeje të qartë, e bëjnë të papranueshme vazhdimin e bashkëpunimit me organizatën.

Ai shtoi se shpreson që drejtuesit e BAFTA-s dhe transmetuesi BBC të reflektojnë mbi situatën dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar një ambient më gjithëpërfshirës dhe profesional në të ardhmen.

Deri më tani, nuk ka një reagim të detajuar publik nga BAFTA lidhur me dorëheqjen e Richardson.