NGA “KE KANCER”, TEK “L*FTA” PËR JETËN/ Stigma, sfidat psikosociale e beteja për cilësi jete pas diagnozës

Një studim i parë në Shqipëri vlerëson cilësinë e jetës së pacientëve me kancer pas diagnozës dhe trajtimit, duke evidentuar sfidat psikosociale dhe ndikimin e parë të diagnozës.  Ekspertët theksojnë nevojën për politika më të informuara dhe luftë kundër dezinformimit, për të përmirësuar mbështetjen dhe cilësinë e jetës së pacientëve.

Cilësia e jetës së pacientëve me kancer në Shqipëri pas diagnozës dhe trajtimit ishte në qendër të një prezantimi shkencor, ku u paraqitën gjetjet e vlerësimit të parë të këtij lloji në vend.

Studimi hedh dritë mbi përvojën e pacientëve, sfidat psikosociale dhe ndikimin e perceptimeve shoqërore në procesin e trajtimit dhe rehabilitimit.

Prof. Albana Fico theksoi rëndësinë e këtij studimi si një hap i parë drejt ndërtimit të politikave më të informuara shëndetësore.

Sipas saj, lufta kundër infodemisë është po aq e rëndësishme sa edhe trajtimi mjekësor.

Një tjetër çështje shqetësuese ishte përhapja e dezinformimit, ku sipas Gerald Tahirit, student i Fakultetit të Mjekësisë, promovimi i “kurave natyrale”, “trajtimeve mrekulli” të pabazuara klinikisht sjell pasoja që mund të jenë serioze.

Studimi pritet të shërbejë si bazë në mbështetjen psikosociale të pacientëve me kancer në Shqipëri, duke synuar jo vetëm trajtimin e sëmundjes, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.