Raporti: 129 gazetarë dhe punonjës mediash u vr*në gjatë vitit 2025

Një numër rekord prej 129 gazetarësh dhe punonjësish të medias u vranë gjatë ushtrimit të detyrës në vitin 2025.

Kështu bëhet e ditur në raportin vjetor të Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), një organizatë e pavarur me seli në Nju Jork që dokumenton sulmet ndaj shtypit në mbarë botën.

Sipas raportit, për të dytin vit radhazi vrasjet e gazetarëve shënojnë nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Po ashtu, për të dytin vit radhazi, dy të tretat e viktimave i atribuohen Izraelit.

CPJ thekson se ushtria izraelite vrau 86 gazetarë gjatë vitit 2025, shumica palestinezë në Gaza.

Mes tyre përfshihen edhe 31 punonjës të medias që humbën jetën në një sulm ndaj një qendre mediatike Houthi në Jemen, i konsideruar si sulmi i dytë më vdekjeprurës ndaj gazetarëve që organizata ka regjistruar ndonjëherë.

Sipas të njëjtit raport, Izraeli ishte përgjegjës për 81 për qind të 47 rasteve që CPJ i klasifikoi si vrasje të shënjestruara qëllimisht.

Qeveria në Tel Aviv nuk ka komentuar raportin. Në disa raste, autoritetet izraelite kanë pranuar se kanë shënjestruar gazetarë në Gaza, duke pretenduar se ata kishin lidhje me Hamasin, por pa paraqitur prova të verifikueshme publikisht.