U përfol se pati ndërhyrje për të mbjellur flokët, këngëtari i famshëm britanik 'shuan' kuriozitetin me përgjigjen e tij

Harry Styles bëri një koment plot humor për vijën e flokëve gjatë paraqitjes së tij në emisionin Royal Court të moderuar nga Brittany Broski, episodi i të cilit u publikua të mërkurën.

Gjithçka nisi kur Broski e pyeti nëse dhëmbët e tij janë fallco. “Jo,” u përgjigj Styles, përpara se të shtonte me shaka: “Kjo vijë flokësh, ama…” — duke shkaktuar të qeshura në studio.

Spekulimet për flokët e fituesit të Grammy-t qarkullojnë prej rreth katër vitesh, pasi një “blind item” i publikuar nga DeuxMoi pretendonte se një “muzikant i listës A / aktor me raste” ishte bërë pothuajse plotësisht tullac dhe mbante paruke.

Në vitin 2022, në një intervistë për revistën Rolling Stone, Styles i hodhi poshtë zërat, duke treguar se bashkëpunëtori i tij Kid Harpoon ishte i fiksuar pas komenteve në rrjet për flokët e tij.

I njohur për stilin e tij të veçantë, ish-anëtari i One Direction ka eksperimentuar shpesh me pamjen ndër vite — nga flokë të gjata deri në prerje shumë të shkurtra. Në vitin 2023 ai befasoi fansat me një “buzzcut”, të cilin më pas e la të rritej sërish në fillim të 2024-ës.

Paraqitja e tij më e fundit publike ishte në Grammy Awards më 1 shkurt, ku u shfaq me flokë të shkurtër dhe një xhaketë Dior me shkëlqim, pa këmishë poshtë. Ai prezantoi çmimin për albumin e vitit, që iu dha artistit  Bad Bunny.

Fansat do ta shohin sërish në skenë gjatë rezidencës së tij “Together, Together” në Madison Square Garden, nga gushti deri në tetor, duke shënuar një nga rikthimet më të shumëpritura të tij live.