RENOIR, MJESHRI I DRITËS/ Nga Impresionizmi drejt formës klasike dhe elegancës së vijës

Kujtohet në ditën e lindjes Pierrë-Auguste Renoir, një nga piktorët më të rëndësishëm të Impresionizmit francez. Ai u bë i njohur për përdorimin e dritës dhe ngjyrës në skenat e jetës së përditshme dhe portretet plot jetë.

185 vite më parë në Limoges lindi në 1841-shin, Pierre-Auguste Renoir. Ai u rrit në Paris, ku që në moshë të re tregoi talent për artin. Fillimisht punoi si dekorues porcelani, por pasionin për pikturën e zhvilloi në studiot pariziane, ku u njoh me artistë si Claude Monet dhe Alfred Sisley.

Në vitet 1870, ai u bë një nga figurat qendrore të Impresionizmit, një lëvizje që synonte të kapte çastin, dritën dhe atmosferën përmes penelatave të shpejta dhe ngjyrave të ndritshme.

Vepra si “Dance at Le Moulin de la Galette” dhe “Luncheon of the Boating Party” pasqyrojnë energjinë e jetës pariziane dhe optimizmin e epokës.

Megjithatë, në mesin e viteve 1880, Renoir përjetoi një krizë artistike. Ai ndjeu se teknika impresioniste nuk i mjaftonte më për të shprehur plotësisht formën njerëzore.

U ndikua nga arti italian dhe mjeshtra si Raphael, duke u kthyer drejt një stili më të disiplinuar, me theks në vijë dhe volum.

Në vitet e vona, pavarësisht se u prek rëndë nga reumatizma dhe humbi lëvizshmërinë e plotë të duarve, Renoir nuk ndaloi së pikturuari.

Ai krijoi skena intime familjare, natyra të qeta dhe nudot e famshme që rrezatojnë butësi dhe qetësi.

Renoir vdiq në vitin 1919, duke lënë pas një trashëgimi që bashkon dritën impresioniste me harmoninë klasike.

Pierre-Auguste Renoir mbetet një nga emrat më të dashur dhe më ndikues në historinë e artit modern.