Po, vetëm ajo dashuri ka fatin të mbijetojë, ajo që mbin në tokën ku vërshojnë vullkanet

E nxorëm atë nga thellësia e tokës dhe kohës, të muruar në qelibarin e aktit etern të krijimit. Faqe dritës së qiellit dhe dëshirimeve e vumë, si një zbulim.

I dhamë kësaj dehje gjithë madhështinë e adhurimit, si fëmijë të lumtur, për ta zgjuar me frymën e epjes dhe etjes. Duke e ndjerë të thellë pulsin e vlimit, teksa mbushte çastin sublim të gjithësisë me thërrimet e një shpërthimit yjor.

Na kaploi zotërimi i kësaj drithërime, duke na kthyer te vesa e zgjimit të ditës, për të nxjerrë së andjemi farën që hodhi krijimi. Erdhëm te kjo pritje e gjatë, me ngulmin e padurimit mbushur, për të kërkuar dhe gjetë atë çfarë na kushte ngjizur.

Të sëmbuar nga prekja e duarve të ashpra që dilnin nga shkëmbi, ndjem dorzimin që na pulsonte në ndijime, gjithësia na mbushi me hapësirë dhe thellësi. Diçka prej zjarri e përshkoi terrin, si një shkrepëtimë drite ku u pamë. Kishte lindur bima e ardhjes hyjnore, e çelur sapo kish kuptimi.

Ishte çfarë ndjem apo çfarë pamë, çfarë na driti apo çfarë na dogji, çfarë na ktheu apo na zgjoi?!

Çfarë ishte ky tharm i lëndës që na ngjizi?

Ishte çfarë zgjoi dëshirimi e rrëmbeu përjetimi, çfarë yshti zeja e vetëtimave apo arti i shpengimeve, idilika e dehjeve apo përkorja e përulësive, ç'ishte?!

Na pëshpëriti në dalldi një zë, një prekje u rrëzua në hutimin tonë, diç na përshkoi, duke na përmendur në këtë zgjim.

Ishim në stinën e përmbushjes së premtimit, mbushur me limfë e kopulim.

Nëse dashuria është vërtet sythi më i çmuar, duhet ta mbyllim atë në sundukun e gjërave të sublime, kujtesave të cilat na lidhin me mbamëndje që na përtërijnë.

Vetëm diçka tepër fisnike duhet t'i orvatet e ta prekë atë.

Vetëm një frymë e pamarrosur prej aromave dhe dehjeve ngasëse, duhet të kundërmojë ndërsa e kundron me afsh e dëshirim të themeltë. Vetëm një dorë e hyjshme duhet të rrëmojë nëpër ngurime, e të nxjerrë prej andej, gurin më shndritës të diamantit e me lëmimin e këtij kjartësimi, ta përkëdhelë me aromat e luleve e puthjet e përskuqura në idilet e perëndimit.

Vetëm kësisoj, ajo e përulura e kapardisjes së ndijime, i qaset me pranin e saj atij vërshimi lumi që e përkund nëpër ledhatime, e përfund nëpër valë dalldisjeje, për ta kredhur në detin e paanë të përjetimeve.

Po, vetëm nëpër luspat e suprinës së një pafundësie deti, ku fundosen diej e pluskojnë yje, vetëm në krahët e atij mrekullimi mund ta shihni, se si trupi i një dëshirimi dashurie i blatohet atij altari, ku të gjithë tërbimet e gjakut qasen kokëulur dhe luten përgjërueshëm.

Vetëm një zemër që e farkëton ky det, kjo ndjenjë që e rrok ky qiell, vetëm ajo, ajo di të jetë lënda që shëmbëllen magmat e vullkaneve që vërshojnë prej thellësisë ku pleks rrënjët që përshkon trupin e drobitur të pritjes, për ta mbushur me zjarr dhe hedhur në shndërrim.

Vetëm ai çast dëgjohet mes mijëra thirrjeve të epshit, e ngashërimeve të kurmit, që i kapërthehen eterit dhe i ngjishen tokës së epjes, si parmend vetëtimash drite, për të pluguar djerrinat e shpirtit ku hidhet fara e ëndrrave dhe ndihet frymëmarrja e pafundësisë.

Vetëm ajo, dashuri, ka fatin të mbijetojë, ajo që mbin në tokën ku vërshojnë vullkanet dhe rritet në shpirtin që harliset ëndërrimeve.

Përgatiti: Albert Vataj