Zhvillohen zgjedhjet vjetore të Këshillit Rinor në Këndin Amerikan në Tiranë
Shefja në detyrë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Jen Curatola, iu bashkua Këshillit Rinor të Ambasadës në Këndin Amerikan në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të tyre vjetore.

Në një njoftim të publikuar nga Ambasada e SHBA, theksohet se aktiviteti përbën një dëshmi të trashëgimisë demokratike amerikane dhe 250 viteve të lirisë së fjalës, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe angazhimit qytetar.
Ambasada përgëzoi të dy kandidatët për zhvillimin e fushatave të forta dhe vlerësoi procesin si një shembull të përfshirjes aktive të të rinjve në jetën publike.

Gjithashtu, në njoftim shprehet gatishmëria për të vijuar bashkëpunimin me Këshillin Rinor, me synim forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
