Ditët e fundit të “Olbania-s” në Muzeun “Marubi” në Shkodër
Ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik Alterazioni Video, është në ditët e saj të fundit.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ftoi publikun ta vizitojë, përpara se kjo kapsulë kohore të udhëtojë drejt një tjetër destinacioni në Europë.
“Olbania” është një term që lindi nga një gabim i bërë në internet në fillim të viteve 2000, një keqshkrim i Albania që u kthye në emrin e një vendi fiktiv online.
Grupi i artisteve “Alterazioni Video” solli në këtë ekspozitë rreth 700 polaroide, të cilët krijojnë një Shqipëri të fragmentuar, të çuditshme por çuditërisht të njohur.
“Olbania” është një arkiv vizual i pazakontë që rindërton një Shqipëri të viteve 2000: mes ndryshimit sistemik, devotshmërisë ndaj Perëndimit dhe një bukurie të papërpunuar, përpara unifikimit të estetikave nga rrjetet sociale.
“Olbania” është një bashkëpunim aksidental, një vepër arti e bashkëshkruar nga shqiptarë, fansa, kritikë dhe artistë, ku distanca kthehet në afërsi dhe kujtesa në interpretim. Imazhe që dikur qarkullonin në internet e që sot janë zhdukur, rikthehen si polaroide të rreme, të veshura me nostalgji dhe ambiguitet.

