Umberto Eco, njeriu që i ra kambanave të alarmit, për pushtetin e budallenjve dhe heshtjen e mendimtarëve

Dhjetë vite më parë, më 19 shkurt 2016 u shua një nga mendjet më të kthjellëta dhe më brilante të kulturës evropiane, intelektuali me dije universale, Umberto Eco. Dhjetë vjet më pas, mungesa e tij nuk është vetëm një boshllëk biografik në kalendarin e kulturës, por një heshtje e rëndë në dialogun publik, aty ku dikur ndërhynte me elegancë ironike, me erudicion të pakapërcyeshëm dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj fjalës.

“Të jesh i kulturuar nuk do të thotë të kujtosh gjithçka, por të dish se ku ta kërkosh.”

Kjo fjali, në dukje e thjeshtë, përmbledh një filozofi të tërë të dijes. Për Eco-n, kultura nuk ishte depo memorieje, por arkitekturë kërkimi. Ai nuk e shihte mendjen si arkiv, por si sistem referencial, jo si raft librash të mbyllur, por si hartë intertekstuale, ku çdo ide lidhet me një tjetër, çdo tekst me një tjetër tekst.

Si semiolog, ai na mësoi se bota është një tekst i pafund. Si romancier, nga “Emri trëndafilit" te "Lavjerrësi i Fukoit", ai na dëshmoi se narrativa është laboratori më i thellë i së vërtetës, sepse aty ndeshen historia, miti, teologjia, politika dhe ironia. Si profesor emeritus në Università di Bologna, ai formoi breza të tërë që e kuptuan se analiza e shenjave është analizë e pushtetit, e ideologjisë dhe e iluzionit.

Por Eco ishte edhe një kritik i ashpër i kohës së tij. Në fjalimin e pranimit të diplomës nderi në Universitetin e Torinos, ai paralajmëroi për një transformim të rrezikshëm të hapësirës publike. Fjalët e tij për mediat sociale, se ato u japin zë “legjioneve të budallenjve” që dikur flisnin vetëm në bar, nuk ishin arrogancë elitare, por një alarm epistemologjik. Ai nuk kishte frikë nga demokracia e fjalës, ai kishte frikë nga barazimi i kompetencës me zhurmën, mediokritetin dhe injorancën.

Në thelb, shqetësimi i tij ishte ky, kur çdo opinion ka të njëjtën peshë me dijen e verifikuar, kur çdo zë barazohet me autoritetin e një kërkimi të gjatë e të mundimshëm, atëherë diskursi publik rrëshqet nga dialogu në kakofoni. Për Econ, problemi nuk ishte liria e shprehjes, por mungesa e filtrit kritik. Ai besonte në kulturën si disiplinë, si formim, si vetëpërmbajtje intelektuale.

Eco i përkiste një brezi që e kishte njohur librin si tempull dhe bibliotekën si univers. Në studion e tij, mes mijëra vëllimeve, ai e shihte dijen si një rrjet të gjallë, ku çdo referencë është një ftesë për thellim. Ai ishte kundërshtar i harresës së shpejtë, i konsumit të menjëhershëm të informacionit, i kulturës së titullit pa tekst, të citatit pa kontekst.

Dhjetë vjet pas largimit të tij, profecia e tij duket më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku algoritmet shpërblejnë ekstremet, ku polarizimi ushqehet me klikime, ku opinioni shpesh maskohet si fakt. Në këtë peizazh, figura e Ecos shfaqet si një ndërgjegje kritike që na kujton se inteligjenca kërkon përulësi, se kultura kërkon punë, se fjala kërkon përgjegjësi.

Homazhi për të nuk është vetëm përkujtim. Është një thirrje për rikthim te metoda, te leximi i ngadaltë, te analiza e burimeve, te dyshimi sistematik. Është një ftesë për të mos u mjaftuar me sipërfaqen e shenjave, por për të hyrë në strukturën e tyre, për të kuptuar se çdo tekst, qoftë roman, lajm apo postim, është produkt i një ideologjie, i një konteksti, i një qëllimi.

Umberto Eco na mësoi se kultura është akt kërkimi dhe akt rezistence. Rezistencë ndaj banalitetit, ndaj manipulimit, ndaj triumfit të zhurmës mbi mendimin, së retorikës boshe dhe shterpësisë së debatit.

Ai ishte "Arkitekti i Shenjave”, zëri që i pëshpëriti në vesh kohërave që mori harrimi. U bë e tashme e urtë dhe guxim për ata që dilnin nga tufa për të sfiduar paradoksin dhe mëtuar, si të kërkosh të vërtetën në kohën e zhurmës.

Predikoi progresin kur kultura duhet të bëhet dhe të triumfojë si akt përgjegjësie, për të sfiduar kështu pushtimin e budallenjve dhe diktatin e heshtjes së mendimtarëve.

Ai parapriu me penë dhe zë të kurajshëm publik për një epokë të opinionit pa filtër.

Nga biblioteka te algoritmi, ishte për të zgjidhja sipas Aleksandrit të Madhe të "Nyjes Gordiane".

Njeriu që lexonte botën si tekst, mjeshtri i ironisë dhe i arsyes, një bibliotekë që flet ende, ishin për të fushëbeteja në mbrojtje të kuptimit.

Dhe ndoshta, në këtë përvjetor, mënyra më e denjë për ta nderuar është të rikthehemi te pyetja që ai e mbante gjithnjë të hapur,

Jo çfarë dimë, por si dimë.

Jo sa flasim, por sa kuptojmë.