VIDEO/ Nis sot sfida e talentit në shkencë në shkollat e mesme
Në të gjitha shkollat e mesme të vendit nis sot sfida e madhe e talentit në shkencë, duke shënuar hapjen zyrtare të Festivalit të Shkencës dhe kthimin e tij në një garë kombëtare mes projekteve më të mira të nxënësve.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga nxënës që kanë finalizuar projektet e tyre dhe janë gati t’i prezantojnë në kuadër të Festivalit të parë Kombëtar të Shkencës për gjimnazet.
“Në ditën kur Festivali i Shkencës merr zyrtarisht kuptimin e një gare, ku eksperimentet janë kthyer në arritje konkrete dhe dijet në projekte të mirëstrukturuara, gati për t’u prezantuar para jurive në nivel shkolle, në të gjithë vendin nis një sfidë unike që përfshin gjimnazet shqiptare”, u shpreh Rama.
Festivali i Shkencës 2026 synon të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe aftësitë kërkimore të nxënësve përmes projekteve inovative në fushat e shkencës, teknologjisë dhe matematikës.
Në këtë fazë të parë, garimi zhvillohet në nivel shkolle, ku juritë do të vlerësojnë punët kërkimore, eksperimentet shkencore, prototipet inxhinierike dhe zgjidhjet digjitale të përgatitura nga nxënësit.
Ky aktivitet, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse, përfaqëson një risi në arsimin parauniversitar, duke e shndërruar shkollën në një hapësirë krijimtarie dhe inovacioni. Festivali përbën një hap të ri drejt forcimit të kulturës së kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit mes të rinjve.
Puna për organizimin e këtij eventi kombëtar ka nisur prej muajit nëntor, në bashkëpunim me drejtuesit arsimorë dhe strukturat përgjegjëse, me synimin për të sjellë një format të ri që promovon talentin dhe idetë inovative të nxënësve shqiptarë.
Me nisjen zyrtare të garës në të gjitha gjimnazet e vendit, Festivali i Shkencës shënon një moment të rëndësishëm për arsimin, duke i dhënë hapësirë “gjeniut të vogël” në bankat e shkollës për ta shndërruar dijen në zgjidhje konkrete për të tashmen dhe të ardhmen.

