"Protestat do jenë të vazhdueshme"/ Baçi: Qeveria nuk rrëzohet brenda një dite, tubimet janë mjeti më efikas për zgjedhje të lira
Deputeti i PD, Luan Baçi ishte i ftuar në studion e Ora News, ku foli për protestat e opozitës dhe paralajmëroi vijimin e tyre në ditët në vazhdim.
Boçi u shpreh se tubimet nuk do të ndalen dhe se pjesëmarrja qytetare po rritet.
Sipas tij, protesta e fundit pati prani të lartë, edhe pse u zhvillua në fillim të muajit të Ramazanit.
“Protestat do të jenë të vazhdueshme, të pandërprera. E rëndësishme është që qytetarët duan të protestojnë dhe vijnë vetë. Bëhet vetëm njoftimi për datën dhe orën dhe bulevardi mbushet.”-tha ai.
Ai tha se, sipas tij, pjesëmarrja nuk ishte rezultat i organizimit me struktura apo mjete transporti, por reagim i drejtpërdrejtë i qytetarëve.
Sipas Baçit, zemërimi lidhet me korrupsionin dhe me mënyrën se si trajtohen protestuesit.
Deputeti përmendi si shembull tunelin e Llogarasë, duke e cilësuar si rast që ka rritur pakënaqësinë publike. Ai shtoi se protesta e radhës, e planifikuar për datën 28, pritet të jetë më e madhe.
“Zemërimi vjen në rritje. Ka shumë arsye për të protestuar. Qeveria nuk rrëzohet brenda një dite, por protesta është mjeti më efikas për të ushtruar presion dhe për të garantuar zgjedhje të lira.”- shtoi deputeti.
Baçi tha se sipas tij, presioni qytetar është i domosdoshëm për ndryshim politik dhe se tubimet do të vijojnë në ditët në vijim.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

