Nga lavdet te gjuha e urrejtjes/ Dy fytyrat e Erion Veliajt për SPAK-un

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dëshmuar një paqëndrueshmëri ekstreme në raport me institucionet e reja të drejtësisë.

Nga një mbështetës "i flaktë" i Reformës në Drejtësi, ai është shndërruar në sulmuesin kryesor të saj, duke përdorur lobistë, media ndërkombëtare dhe sulme personale ndaj prokurorëve, sapo dora e ligjit ra mbi të.  

Sulmet janë shtuar dita-ditës, ndërsa së fundi e ka paraqitur veten si viktimë të një "persekutimi politik", duke harruar lavdet që thurte dikur për të njëjtin institucion dhe për të njëjtët prokurorë. 

Makineria e propagandës së Veliajt ka tentuar të ndërtojë një alibi ndërkombëtare përmes lobimeve të kushtueshme. Skenarët e manipulimit kanë shkuar deri në Kongresin Amerikan dhe Senat.

Aty janë shpërndarë raporte me të pavërteta, ku pretendohej se prokurori i çështjes, Ols Dado ishte aktivist i PD-së apo se kishte hakmarrje personale për shkak të lejeve të ndërtimit.

Po ashtu shkrime të pafundme ka pasur në mediat ndërkombëtare, ku Veliaj sulmonte SPAK-un. Së fundi, një shkrim i porositur në portalin "EU Reporter" tentoi të hidhte tymnaja mbi procesin gjyqësor, duke e cilësuar arrestimin si shkelje të shtetit të së drejtës.

Megjithatë, kryeredaktori i kësaj medie Colin Stevens u distancua zyrtarisht, duke sqaruar për CNA-në se artikulli ishte opinion i jashtëm dhe jo qëndrim editorial i tyre.

Përpjekja për të përdorur emrat e zyrtarëve të BE-së po ashtu dështoi. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, deklaroi ekskluzivisht për CNA-në se SPAK luan një rol vendimtar dhe puna e tyre është thelbësore për integrimin.

Ndërkohë, draft-raporti i Parlamentit Europian për vitin 2025, i publikuar javën që shkoi kërkon forcimin e dënimeve pikërisht për nivelet e larta drejtuese, duke rrëzuar përfundimisht pretendimet e Veliajt.

Kur thirrej si person në dijeni për inceneratorët në 30 prill të vitit 2024, Veliaj doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme me buzëqeshje. Ai i cilësonte hetuesit si "kolegë profesionistë" dhe deklaronte me mburrje se SPAK ishte një investim i rëndësishëm për Shqipërinë. Në atë kohë, Veliaj ironizonte këdo që sulmonte organin e akuzës, duke u vetëshpallur si bashkëpunëtor i drejtësisë.

“Falënderoj kolegët e SPAK-ut, një institucion që unë nuk kisha pasur të bëja më parë. Pas këtij takimi më ka krijuar bindjen që është bërë një investim për së mbari në Shqipëri. Isha me dy kolegë hetues, profesionistë dhe unë them që ne duhet t’i forcojmë institucionet. Isha këtu si bashkëpunëtor. Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe për çështje të sekretit hetimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë dhe disa prova të tjera, m’u kërkua dashamirësisht që të mos i ndaj me gazetarët. Do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë sime”, tha Veliaj.

Gjithçka ndryshoi më 10 shkurt 2025, kur pas një hetimi voluminoz, Veliaj u arrestua me 13 akuza të rënda. Sapo u përball me drejtësinë, "profesionistët" e SPAK-ut u shndërruan në "lunatikë", "të paditur" dhe "perversë". Në fillim, Veliaj e ka cilësuar prokurorin e çështjes, Ols Dado, si një individ "epsharak" dhe ka pretenduar se aktakuza është një "paçavure" e kurdisur.

“Nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët.Nuk besoj se mediat do të kenë kurajën të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën",  thoshte Veliaj.

Pas arrestimit, por edhe gjatë kohës që ka qëndruar në burg, në përgjimet e publikuara nga CNA, ai kërkonte të ngrinte mashtrime publike me sulme ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarëve Erion Bani dhe Engert Pëllumbit, të cilët u sulmuan nga mediat e Veliajt në mënyrë kriminale me akuza të pabaza, shpifje e fyerje, të cilat tregonin anën tjetër të fytyrës së Erion Veliajt, jo atë të prillit të vitit 2024 kur i quante kolegë të dashur prokurorët e SPAK-ut.

Pas kësaj diskursi dhe fjalori i Veliajt sa vinte dhe degradonte edhe më shumë karshi SPAK-ut dhe prokurorëve të saj. 

Sot Erion Veliaj teksa lobon me qindra mijëra dollarë në SHBA dhe Europë për të sulmuar SPAK-un, paralelisht vazhdon të zvarrisë seancat gjyqësore në Tiranë prej 7 muajsh, duke shpikur manovra procedurale nga frika e përballjes me dosjen prej 60 mijë faqesh./ CNA