RAMA: DREJTËSI PËR KOSOVËN! Kryeministri: Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit, do të ndikojë në vendim

Kryeministri Edi Rama e cilësoi pjesëmarrjen në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Uashington si momentin më të veçantë të javës, duke konfirmuar edhe angazhimin e Shqipërisë me trupa në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. Në podcastin e tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te Gjykata e Hagës për ish-krerët e UÇK-së, si dhe mbrojti projektin strategjik për rijetëzimin e qendrës historike të Durrësit, mes protestave të banorëve.

Mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington gjatë javës që kaloi kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si momentin më të veçantë të javës.

“ Vizita në Uashington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.”

Kryeministri konfirmoi pjesëmarrjen e Shqipërisë me trupa ushtarake në Gaza.

“ Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.”

U ndal edhe një herë tek Gjykata e Hagës e cila po gjykon ish-krerët e UÇK-së.

“ Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare.”

Kreu i qeverisë foli edhe një herë për protestën e banorëve të Durrësit në lidhje me projektin TID, duke thënë se ai projekt është strategjik.

“ Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.”

Mes të tjerash, Rama lajmëroj edhe se rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page.