LIGJI PËR RICIKLIMIN, SFIDË E MUNDËSI! Vullnet Haka: Ligji nuk e zgjidh automatikisht problemin e mbetjeve PZP

Miratimi i Ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit konsiderohet një hap pozitiv për menaxhimin e mbetjeve në vend. Presidenti i Shoqata e Konvertuesve të Plastikës së Shqipërisë, Vullnet Haka, deklaron se ligji u jep prodhuesve mundësinë të tejkalojnë etiketimin si ndotës, shpeshherë të padrejtë. Megjithatë, ai shpreh shqetësim për perceptimin se problemi i mbetjeve është zgjidhur me miratimin e ligjit.

Miratimi i Ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit po konsiderohet një hap i rëndësishëm në reformimin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri.

Për industrinë e prodhimit dhe riciklimit, kjo skemë synon të zhvendosë përgjegjësinë për mbetjet nga pushteti vendor tek vetë prodhuesit, duke krijuar një cikël më të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të menaxhimit të tyre.

Presidenti i Shoqata e Konvertuesve të Plastikës së Shqipërisë, Vullnet Haka, e vlerëson ligjin si një moment të rëndësishëm për sektorin, pasi prodhuesit tashmë kanë mundësinë të tejkalojnë etiketimin si ndotës, një perceptim që siç thotë ai shpeshherë ka qenë i padrejtë.

Sipas tij, skema e re, nëse zbatohet siç duhet, pritet të garantojë furnizim të qëndrueshëm me mbetje të selektuara për riciklim.

Por sipas përfaqësuesve të industrisë, suksesi i saj do të varet nga mënyra se si do të hartohen dhe zbatohen aktet nënligjore, si dhe nga komunikimi i vazhdueshëm mes Ministrisë së Mjedisit dhe sipërmarrjeve.

Industria kërkon gjithashtu mbështetje financiare dhe skema stimuluese, të ngjashme me ato që aplikohen në bujqësi, për të ndihmuar riciklimit të rikuperojë kohën e humbur dhe të rrisë investimet.

Një tjetër kërkesë është përafrimi i plotë i skemës shqiptare me modelet e vendeve të Bashkimit Europian, për të garantuar funksionalitet dhe standarde të qarta.