Rreth 30 mijë tatimpagues plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave Personale

Rreth 30 mijë tatimpagues kanë plotësuar deri më tani Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA 2025, ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin dhe pagesën e saj është 31 mars 2026.

Administrata Tatimore pret që këtë vit numri i deklaruesve të arrijë në rreth 200 mijë individë, nga 140 mijë që deklaruan një vit më parë. Rritja e pritshme lidhet me aplikimin për herë të parë të zbritjeve tatimore për fëmijët në ngarkim dhe për shpenzimet arsimore.

Sipas legjislacionit në fuqi, individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë përfitojnë zbritje tatimore për numrin e fëmijëve në ngarkim, ndërsa ata me të ardhura nën këtë prag, edhe pse nuk e kanë detyrim ligjor për deklarim, mund të deklarojnë vullnetarisht për të përfituar rimbursim, në rast se rezultojnë me tepricë kreditore.

Për këtë kategori, përveç zbritjes për fëmijët në ngarkim, aplikohet edhe zbritja për shpenzimet arsimore.

Administrata Tatimore bën të ditur se subjekt deklarimi me detyrim për vitin 2025 janë individët që kanë realizuar të ardhura bruto vjetore 1.2 milionë lekë ose më shumë nga të gjitha burimet, ata që kanë qenë në më shumë se një marrëdhënie punësimi gjatë të paktën një muaji, si dhe individët që kanë përfituar mbi 50 mijë lekë të ardhura për të cilat nuk është mbajtur tatim, si në rastet e qiradhënies për individë të paregjistruar apo përmes platformave si Booking dhe AirBnB.