Veliaj përsërit skemën/ Lobime në mediat ndërkombëtare për të goditur drejtësinë
Kryebashkiaku i arrestuar për 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj, ka kërkuar sërish ndryshim të masës së sigurisë.
Më 24 shkurt është caktuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Nertila Kosova, seanca për shqyrtimin e ankimimit, ku pretendohet se kryebashkiaku i arrestuar nuk plotëson kushtet për t'u mbajtur në paraburgim.
Por çfarë ndodh? Skema përsëritet.
Sa herë Erion Veliaj ka një seancë gjyqësore shpërthejnë artikujt e mediave të huaja nëpër portale shqiptare.
Së fundi mediat shqiptare kanë publikuar një shkrim të “EU Reporter”, që, në fakt, është një manipulim dhe duket si presioni dhe shantazhi i radhës ndaj drejtësisë.
Është ciklike, i përsëritur fakti që në mënyrë të vazhdueshme sa herë ka një gjyq të rëndësishëm të Erion Veliajt, dalin shkrime.
Ne po ju sjellim disa prej tyre:
Media ndërkombëtare “The Economist”, në një shkrim të publikuar të enjten e 7 gushtit të vitit 2025 me titull "Njësia e re kundër korrupsionit në Shqipëri po rrëzon të fuqishmit", ku i mëshohet asaj që pse Erion Veliaj ndodhet në paraburgim.
Një tjetër media ndërkombëtare në portalin e “Jerusalem Post” sërish trajton rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Një artikull nga “EU Reporter” në qershor të 2025 ku sërish mbrohet Erion Veliaj, por me një përpjekje të strukturuar për të rehabilituar publikisht figurën e një zyrtari të nivelit të lartë nën hetim penal.
I fundit është një shkrim i bërë me 18 shkurt nga “EU Reporter”, të cilit më parë CNA i është drejtuar me një e-mail zyrtar për qëndrimin, por si gjithmonë ne nuk kemi marrë përgjigje. Pra, moskthimi i përgjigjes, qëndrimi në heshtje, pranon faktin se këto shkrime mund të jenë të porositura dhe me pagesë të bëra për arsye të lobimit.
Të tilla shkrime përdoren për të intimiduar drejtësinë.
Po të lexojmë dhe shkrimin e bërë nga “EU Reporter”, që, në fakt, duhet ta lexojë gjyqtarja e çështjes së datës 24 shkurt për të mos u kompleksuar si kolegët e saj në të tilla paçavure mediatike sepse duke i hedhur një sy konstatohet se është manipuluar gjithçka, duke nxjerrë nga konteksti qëndrimet e dhëna nga zyrtarët e BE-së dhe duke bashkëngjitur rrugën e Shqipërisë drejt Europës dhe luftën kundër korrupsionit si sukses të kryer nga SPAK-u deri tani si një çështje shqetësuese që lidhet direkt me arrestimin e Erion Veliajt.

Megjithëse lind një pyetje: pse lidhet vetëm me arrestimin e Veliajt dhe jo me kryebashkiakët e tjerë, me ministrat apo zyrtarët e tjerë, por pikërisht me Veliajn?
Më pas merret dhe shtohet brenda qëndrimi i avokatit e studiove ligjore dhe lobiste, të cilat shkuan e gënjyen deri në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
Në raportet ku na thoshin se prokurori Ols Dado ishte anëtar aktiv i Partisë Demokratike apo të faktit që ky zhvillues pronash kishte kërkuar një leje për shtesë dhe i ishte refuzuar.
Dhe, e treta, që ishte edhe më qesharakja, akuza që ishin prokurorët, ata të cilët e kishin zgjedhur gjyqtarin paraprak, Erion Banin, ndërkohë që zgjedhja e gjyqtarit është bërë nga njëri prej të akuzuarve përgjatë procedurave ankimuese, pastaj qëndrimet e lobistëve merren dhe deformohen e përpiqen të shiten si qëndrime të zyrtarëve të lartë të BE-së se Shqipëria do të ketë penalitete me burgosjen e të korruptuarve.
Në fakt, është e kundërta. Edhe deklarata e bërë së fundi në “EU Reporter” duket qartazi se është një presion i radhës ndaj drejtësisë për gjyqin e ardhshëm të datës 24 shkurt 2026.
Të gjithë zyrtarët mbështesin SPAK-un. Pa folur pastaj për shifrat e paraburgimit, të cilat në Shqipëri nuk kanë lidhje me SPAK-un. As 5% e të burgosurve në paraburgim nuk janë të SPAK-ut, shifrat e tjera lidhen me veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme.
Pa folur më tej se si merret dhe impostohet vizita e zyrtarëve të BE-së në Tiranë, pa folur më tej se si merret dhe kërkohet të deformohet qëndrimi i eurodeputetëve apo zyrtarëve të tjerë, pa folur më tej për qëndrimin e bërë nga kryetarët e bashkive në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, që vërtetë mund të quhet një rast politik, pasi ai është lider opozitar dhe mundet të arrestohet nga qeveria autokratike dhe presidenti Erdogan.
Kurse në Shqipëri ka një reformë në drejtësi të kryer nga zyrtarët e PS-së, me një veting ku janë përfshirë zyrtarë të PS-së, me një strukturë të SPAK-ut dhe GJKKO-së të votuar nga Parlamenti me vota të 140 deputetëve, votuar nga partia e Erion Veliajt, nga vetë ai dhe tani merren të gjitha këto e akuzohet publikisht se nuk duhet mbajtur në paraburgim Erion Veliaj, ndërkohë që ky i fundit ka 13 akuza për vepra të rënda penale dhe mbahet në paraburgim se po prishte provat.
Gjithashtu CNA, përmes zbardhjes së përgjimeve, ka treguar se Erion Veliaj ka bërë inskenime dhe dirigjime të mediave nga burgu për të sulmuar drejtësinë, prokurorët dhe gjyqtarët.
Erion Veliaj nuk ndodhet në burg politikisht.
Erion Veliaj ndodhet në burg me 13 akuza të rënda dhe prishjen e provave.
Ndërkohë ka një tjetër fraksion të dosjes ku po hetohet kryebashkiaku. Gjithçka që thuhet është thjesht një përpëlitje, lëvizje, duke menduar se me lobime, me shkrime në Europë dhe shkrime në SHBA Erion Veliaj do të dalë nga burgu.
Me të tilla forma, që mund të bëhen dhe shkrime si presione për gjyqtarët për arrestimin e zyrtarëve të ndryshëm në botë, të paguar për të thënë se nuk është e drejtë, duhet të ishin të gjithë të lirë.
Por, në fakt, SPAK dhe GJKKO nuk janë ngritur për të qenë pjesë e presioneve të lapsave me pagesë apo gjobaxhinjve mediatikë që përdorte Veliaj më pas për të publikuar këto paçavure si presion ndaj gjykatës dhe tashmë pritet që më datë 24 shkurt të jepet vendimi i Apelit të GJKKO-së për masën e sigurimit. Ndaj dhe ka dalë ky shkrim siç e renditëm më sipër, pas dhjetëra të tillëve që publikohen në media të ndryshme.
Së shpejti dhe ky shkrim e disa të tjerë që hidhen në portale shqiptare pritet të jenë pjesë e raportit shtesë që mund të bëjnë lobistët duke vazhduar për të gënjyer në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, Senatin apo Kongresin Amerikan, përfshirë këtu edhe zyrtarët e BE-së, të cilët duket se janë më të qartë.
Ja qëndrimi i vërtetë i Parlamentit Europian për Shqipërinë sipas draft-raportit që pritet të miratohet së shpejti.
Shteti i së drejtës, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit
1. Përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vettingut; vëren sfida si vonesat në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë;
2. Kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e dixhitalizim;
3. Thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;
4. Insiston në adresimin e korrupsionit në të gjitha nivelet për të rritur besimin e qytetarëve;
5. Thekson rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit me agjenci të BE-së si Europol dhe Eurojust;”, thuhet në draft raportin e PE për Shqipërinë./ CNA

