Dy aksidente brenda natës, makina të përmbysura dhe në flake në Tiranë

Dy aksidente me pasoja materiale janë regjistruar pas mesnate në Astir dhe në autostradën Tiranë–Durrës. Në të dyja rastet automjetet janë përfshirë nga flakët, por nuk raportohet për persona të lënduar.

Dy aksidente ku makinat janë përfshirë në flakë janë regjistruar gjatë natës në kryeqytet, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Ngjarja e parë ndodhi në zonën e Astirit, pak pas mesnatës të së mërkurës, ku sipas të dhënave paraprake një automjet ka humbur kontrollin teksa lëvizte në rrugë dhe është përmbysur në mes të korsisë. Pak çaste pas përmbysjes, mjeti është përfshirë nga flakët, duke krijuar një situatë të rrezikshme për zonën përreth. Pamjet e siguruara nga dëshmitarë okularë tregojnë makinën e përmbysur dhe të mbuluar nga flakët, ndërsa forcat zjarrfikëse ndërhyjnë me shpejtësi për shuarjen e zjarrit.

Ndërhyrja e tyre bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në mjete apo objekte të tjera pranë rrugës. Sipas informacioneve të para, nuk raportohet për persona të lënduar. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se automjeti kishte targa angleze, ndërsa rrethanat e sakta të aksidentit po hetohen nga policia.

Një tjetër aksident u shënua pak kilometra më tutje, pranë autostradës Tiranë–Durrës. Sipas të dhënave paraprake, një automjet është përplasur me bordurat anësore të rrugës dhe më pas është përfshirë nga flakët. Edhe në këtë rast, zjarri ka shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për persona të lënduar në gjendje të rëndë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e të dy aksidenteve, ndërsa paraprakisht dyshohet se faktorë si shpejtësia apo kushtet e rrugës mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjeteve