Bytyçi: Gjykata Speciale është politizuar, nevojitet reagim unik për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Muhamet Bytyçi, opinionist politik, ishte i ftuar në hapësirën “Për shqiptarët” në Ora News, ku u shpreh se procesi ndaj ish-përfaqësuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale është politizuar dhe kërkon një reagim më të fortë institucional e diplomatik nga Kosova dhe Shqipëria.

"Duke u nisur nga historia jonë, sepse edhe unë personalisht kam qenë fëmijë i luftës, domethënë gjatë kohës kur UÇK-ja bënte luftën në Kosovë, unë i kam pasur vetëm 13 vjet dhe si rezultat i një përvoje edhe personale të përjetimit të luftës, kur flitet për UÇK-në apo historinë tonë të re, gjithmonë jemi plot emocione dhe gjithmonë kemi, kemi çfarë të themi.

Mirëpo, sot ditën e pavarësisë së Kosovës kur u mbajt edhe një marsh i madh protestues, apo më mirë të themi është mbajtur protesta më e madhe në historinë e pasluftës në Kosovë, sepse ishte një marsh madhështor, ku pati një mbështetje të madhe popullore, ideja e lirimit të çlirimtarëve tonë.

Por edhe ku për herë të parë pati një konsensus edhe politik sa i përket kauzave të drejta të vendit tonë.

Në të kaluarën kemi pasur gjithmonë dilema, ose ka pasur grupe të caktuara ku ka pasur një lloj edhe rivaliteti politik sa i përket luftës, paqes e kështu me radhë.

Sot është parë një unitet shumë më i madh edhe në këtë drejtim, edhe për faktin se për herë të parë në mbështetje të një kauze për mbrojtjen e çlirimtarëve tonë apo themeltarëve të shtetit të Kosovës, siç është zoti Thaçi, i cili ka shpallur pavarësinë e Kosovës, e patëm një mbështetje edhe nga ana e presidentes së Kosovës dhe që për mendimin tim ishte një hap shumë pozitiv nga ana e saj, sepse ka munguar kjo mbështetja institucionale për mbrojtjen e përfaqësuesve të UÇK-së, që të cilët janë përfaqësues edhe të popullit, se siç e dimë, UÇK-ja ka qenë një mobilizim popullor, nuk ka qenë një organizim i mirëfilltë ushtarak, por ka qenë një vullnet i popullit për çlirim.

Dhe Thaçi edhe të tjerët janë gjendur në atë moment historik në organizimin e saj, mirëpo UÇK-ja ka qenë një ushtri e popullit që ka dalë nga gjiri i popullit në vetëmbrojtje nga një presion i madh që është bërë nga ish-Jugosllavia ndaj popullit shqiptar të Kosovës, për të cilën kemi pasur edhe intervenimin e NATO-s edhe mbështetjen e perëndimit në vitin 1999. 

Po historia e Gjykatës Speciale filloi me idenë demek të gjykimit të të rastit të trafikimit të organeve nga ana e UÇK-së, që ishin një akuzë shumë banale nga ana e Dick Martyt.

Dhe u nis nga ajo vërtetimi i atyre akuzave dhe doli realisht në një fushë komplet tjetër, e cila aspak nuk nuk është argumentuar se ka pasur diçka të vërtetë sa i përket krimeve nga ana e UÇK-së, sepse UÇK-ja nuk ka pasur qëllim dhe është vërtetuar jashtëzakonisht shpesh herë që nuk ka pasur asnjëherë qëllim vrasjen e civilëve serb apo vrasjen e të njerëzve të tjerë.

Mirëpo UÇK-ja gjatë krejt punës së saj ka bërë luftë vetëmbrojtëse dhe çlirimtare.

Dhe edhe institucionet e Kosovës kur e kanë pranuar Gjykatën Speciale e kanë pranuar me idenë që me u vërtetuar akuza për trafikim organesh.

Ndërsa Gjykata Speciale ndërkohë e ka degjeneruar komplet rolin apo misionin e vet duke bërë akuza nga më të pabaza, madje madje edhe për kidnapim të kafshëve.

Domethënë kemi pasur dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar që gjoja gjatë luftës dikush nga ushtarët e UÇK-së i ka marrë, i ka marrë kafshët.

Dhe kjo aty realisht Gjykata Speciale ka ka rrëshqitur në një rol jo, jo të duhur sepse sot me akuzat që i pamë së fundmi, më shumë janë akuza qesharake pa asnjë bazë sesa akuza të mirëfillta në një proces gjyqësor.

Mirëpo mendoj që është politizuar rrugës ky proces dhe qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi edhe sot edhe nesër edhe kurdoherë nuk duhet të heshtin përballë gjykatës dhe padrejtësive të Gjykatës Speciale dhe të cilësdo gjykatë tjetër, kur bëhet fjalë për akuza të pabaza ndaj shqiptarëve dhe ndaj atyre të cilët e kanë themeluar shtetin e Kosovës.

Mos harrojmë që tendencat e një pjese të gjykatës apo një një strukture të caktuar janë shumë për të njollosur madje edhe shtetin e Kosovës sesa për të vënë drejtësi, sepse ne e dimë kush ishte agresori dhe e dimë kush ishte viktima në luftën e Kosovës, në luftën e Bosnjës edhe në luftat e tjera në ish-Jugosllavi. 

Dhe, këtu jemi, jemi në një situatë, jemi në një situatë ku me të vërtetë duhet reagim unik i shqiptarëve në përgjithësi, i duhet një reagim sikur i ditës së sotme.

Në atë çka kemi parë nga mbrojtja e të akuzuarve dhe nga prokuroria, realisht mbrojtja i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e prokurorisë dhe në fakt ka argumentuar mjaftueshëm për krejt rrjedhën e procesit të për kohën në të cilën flasim.

Po mendoj që duhet një mobilizim më i madh diplomatik. Duhet një mobilizim më i madh diplomatik i Kosovës, i Shqipërisë, edhe në kancelari të ndryshme në botë për të treguar që akuzat e Dick Martyt janë pa baza, gjykata nuk ka asnjë argument përballë situatës dhe që nuk do të pranojmë asnjë vendim i cili bie në kundërshtim me drejtësinë në këtë proces", u shpreh Bytyçi.