Krerët e shtetit, homazhe për të pagjeturit dhe fëmijët e vrarë
Kosova sot shënon përvjetorin e 18-të të Pavarësisë. Para godinës së Qeverisë së Kosovës është mbajtur ceremonia solemne e ngritjes së flamurit të Republikës së Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në këtë dite feste, Kurti u shpreh se nderohen edhe rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, kanë kontribuar e janë sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, 18-vjetori, dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.
Në kuadër të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit kanë bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Ata gjithashtu kanë bërë homazhe edhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë në oborrin e Kuvendit te Kosovës. /Kosovapress

