IZRAEL/ Gjykatë e veçantë ushtarake për 300 të akuzuarit në sulmet e 7 tetorit 2023
Izraeli ka planifikuar të paraqesë të akuzuarit për sulmet e 7 tetorit 2023 përpara një gjykate të veçantë ushtarake, njoftoi sot media izraelite duke cituar Prokuroren e Përgjithshme Gali Baharav-Miara.
Sipas raportimeve, ajo ka thënë se prokurorët ushtarakë, dhe jo ata civilë, do të parashtrojnë akuzat mbi bazën e legjislacionit që ka kaluar leximin e parë në parlament.
Simcha Rothman, një nga ligjvënësit pas këtij ligji, krahasoi procedurat e planifikuara me Proceset e Nurembergut të vitit 1945, ku krerët nazistë u paraqitën para një gjykate ndërkombëtare ushtarake.
Rothman, anëtar i Knesset-it për Partinë Kombëtare Fetare, ”Sionizmi Fetar”, kryeson Komitetin e Drejtësisë në parlament.
Sipas burimeve izraelite, më shumë se 3 000 anëtarë të Hamas dhe grupeve të tjera islamiste militantë morën pjesë në sulmin nga Rripi i Gazës, së bashku me civilë palestinezë.
Ata akuzohen për vrasjen e më shumë se 1 200 personave dhe për marrjen peng të mbi 250 personave.
Sipas autoriteteve izraelite rreth 1 600 prej atyre që morën pjesë në sulm janë vrarë, ndërsa të tjerët besohet se kanë ikur nga rajoni.
Portali izraelit ynet ka raportuar se po përgatiten akuzat kundër më shumë se 300 anëtarëve të njësisë elitë të Hamasit, Nukhba.
Raporti shton se akuzat mund të përfshijnë gjenocid, shkatërrim të sovranitetit ose integritetit territorial të shtetit, inicim të luftës, ndihmë për armikun gjatë kohës së luftës, shkelje të ligjit kundër terrorizmit dhe vrasje.
Izraeli e ka hequr dënimin me vdekje për vrasje në vitin 1954, por e mban atë për raste të caktuara, si kriminelët nazistë të luftës dhe tradhtinë gjatë luftës.
Personi i fundit që u ekzekutua ishte krimineli nazist i rangut të lartë, Adolf Eichmann, në vitin 1962.
Aktualisht, Knesset po debaton për rivendosjen e dënimit me vdekje për aktet e terrorizmit.

