KRIZË DEMOGRAFIKE NË UKRAINË! Lufta ka përkeqësuar situatën! Qeveria po përpiqet të ruajë potencialin riprodhues të vendit

Ukraina po përballet me një krizë të thellë demografike për shkak të luftës, me mijëra ushtarë të vrarë dhe miliona qytetarë të larguar, ndaj shteti ka nisur të financojë ngrirjen e spermës dhe vezëve për personelin ushtarak. Programi synon t’u japë familjeve mundësinë të kenë fëmijë edhe nëse ata humbin jetën në luftë, por edhe në rastet kur si pasojë e traumave të  luftë.

Stresi i shkaktuar nga traumat e luftës ndikon edhe në aftësinë riprodhuese të çifteve.

Ukraina po përballet me një krizë të rëndë demografike, e përkeqësuar ndjeshëm nga lufta me Rusinë. Me mijëra ushtarë, kryesisht të rinj, kanë humbur jetën në front, ndërsa miliona qytetarë janë larguar nga vendi.

Në këtë kontekst, shteti ukrainas ka ndërmarrë një nismë të pazakontë, financimin e ngrirjes së spermës dhe vezëve për personelin ushtarak.

Programi i kriopreservimit nisi në klinika private në vitin 2022, menjëherë pas fillimit të agresionit rus, ndërsa në vitin 2023 parlamenti miratoi një ligj për ta rregulluar dhe financuar nga shteti.

Qëllimi është t’u jepet ushtarëve mundësia të kenë fëmijë edhe nëse lëndohen rëndë ose humbasin jetën në luftë.

Një ushtar 35-vjeçar, i identifikuar si Maksim, shpjegon se vendosi të ngrijë spermën gjatë një leje në Kiev, me nxitjen e bashkëshortes së tij.

Ai thotë se stresi i vazhdueshëm nga lufta, sulmet me dronë dhe rreziku i përhershëm ndikojnë edhe në aftësinë riprodhuese.

Megjithatë, zbatimi i ligjit hasi në polemika. Fillimisht ishte parashikuar që mostrat të asgjësoheshin pas vdekjes së dhuruesit, çka shkaktoi reagim publik kur një e ve lufte u pengua të përdorte spermën e bashkëshortit të saj.

Ligji u ndryshua tani mostrat ruhen falas deri në tre vjet pas vdekjes dhe mund të përdoren nga partneri me pëlqim të shkruar paraprak.

Rasti i Katerinës, bashkëshorti i së cilës u vra nga një bombë ruse, nxori në pah boshllëqet ligjore.

Ajo u detyrua t’i drejtohej gjykatës për të fituar të drejtën e përdorimit të embrioneve të krijuara para vdekjes së tij. Pas një beteje gjashtëmujore ligjore, gjykata vendosi në favor të saj.

Autoritetet shpresojnë se programi do të ndihmojë në ruajtjen e potencialit demografik të vendit. Por sfida mbetet bindja e ushtarëve për të folur hapur mbi fertilitetin, një temë që shpesh konsiderohet tabu.

Në një luftë që po hyn në vitin e pestë, Ukraina po lufton jo vetëm për territorin, por edhe për të ardhmen e saj demografike.