Nisma e PS-së për pezullimi e zyrtarëve të lartë, Berisha: Kushtetuesja e ka rrëzuar këtë marrëzi që në 2002-n

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët, ku teksa iu referua nismes se PS-së për ndalimin e pezullimit të zyrtarëve të lartë, Berisha deklaroi se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar këtë marrëzi që në vitin 2002.

FJALA E BERISHES

Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Ai po konsumon çdo orë, çdo ditë që qëndron në detyrë grushtin e shtetit brenda shtetit.

Në një akt antikushtetues, tepër të rrezikshëm, ka paraqitur amendamentin Rama-Lubia, Rama-Balluku, me të cilin kërkon t’i japë ministrit, t’i japë zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit atë mbrojtje që Kushtetuta nuk ia ka dhënë.

Mirëpo, ka një parim themelor të sanksionuar në frymën dhe germën e Kushtetutës, sipas të cilit për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur të bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji.

Atë për funksionet e organeve kushtetuese, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji. Kushtetuta nuk ka dashur të mbrojë kryeministrin, ministrat dhe KLSH-në nga pezullimi. Nuk mund ta bëjë ligji.

Edhe njëherë, kemi të bëjmë me organet kushtetuese. Kryeministria është organ kushtetues. KLSH është organ kushtetues. Ministrisë janë organe kushtetuese. Nuk mund t’u japësh kurrë mbrojtje tjetër përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Jo. Sepse është tejkalim flagrant i Kushtetutës.

Kjo nuk buron vetëm nga frymë dhe germa e Kushtetutës dhe kushtetutshmëria e rendit, por buron edhe nga vendimet direkte të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për çdo vend janë të barabarta me normën e Kushtetutës.

Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie si ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vendimi numër 212 i vitit 2002 i Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH, që Edi Rama sot do t’ia japin. E kuptoni?

Jo, tha gjykata, thjesht ligji për organin kushtetues nuk mund të japë atë që nuk e ka dhënë Kushtetuta. Kaq, nuk mundet. Kushtetuta ka përcaktuar këtë nivel mbrojtje.

Ka përcaktuar nivel mbrojtje autorizimin nga parlamenti për kufizimin e lëvizjeve, të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese dhe unë e përgëzoj.

E rrëzoi në rastin e Sali Berishës dhe unë e përgëzoj atë, pavarësisht se është një vendim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, por ata nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë.

Pra, nuk lejon pa autorizimin e parlamentit, kufizimin e lëvizjes. Nuk lejon arrestimin. Kushtetuta mbron institucionin dhe funksionet e tij. Kushtetuta në asnjë germë, në asnjë nen nuk pranon të mbrojë me mospezullim. Jo. As kryeministrin.

Pra, Edi Rama kërkon të shkelmojë jo vetëm frymën dhe germën e Kushtetutës, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Rasti konkret, kryetari i KLSH. Por si institucion kushtetues ka ngjashmërinë e vet me institucionet e tjera.

Mirëpo ai, dhe ata këshilltarët, të mos e prish gojën për t’ua thënë atë që meritojnë, shkelmojnë normën kushtetuese që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese 212 i vitit 2002. Pikërisht për kryetarin e KLSH, të cilit donin t’i jepnin mburojë.

Jo, tha gjykata, asnjë mbrojtje tjetër përveç asaj që parashikon Kushtetuta. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta me ligje.