VIDEO/ Daja apel prindërve: Vaksinoni fëmijët ndaj fruthit, informohuni në burime të besueshme

Vaksina MMR, ose siç njihet ndryshe vaksina trivalente kundër fruthit, rubeolës dhe parotitit lufton tri sëmundje infektive dhe aplikohet në moshën 1 vjeç dhe 5 vjeç.

Shefja e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja në një videomesazh të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u shpreh se kjo vaksinë duhet të aplikohet në kohë.

Daja apelon prindërit, që të vaksinojnë fëmijët kundër fruthit dhe të marrin informacion të saktë dhe të besueshëm në burime si mjeku pediatër, mjeku i familjes dhe personeli shëndetësor.

Sipas IShP-së gjatë vitit 2025, në Shqipëri janë konfirmuar 18 raste me fruth. Shumica e rasteve i përkasin grupmoshës pediatrike 0–14 vjeç, ndërsa vetëm një rast është regjistruar tek një i rritur.

Të dhënat për vitet 2017–2024 tregojnë që mbulesa vaksinale me dy doza për 5-vjeçarët në Shqipëri ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 92%, por sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSh), për eliminimin e fruthit kërkohet mbulim me më shumë se 95% të popullsisë me dy doza.