DEBATE NË KUVENDIN E KOSOVËS/ Abdixhiku: Buxheti 2026, jokushtetues! Kurti u përgjigjet kritikave: Kemi progres stabël
Deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi projektbuxhetin e paraqitur nga qeveria Kurti për vitin 2026. Ai tha se projektbuxheti është edhe jokushtetues, nëse nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.
Abdixhiku në seancën e sotme të Kuvendit tha se buxheti nuk reflekton as strukturën e re qeveritare, as zotimet e dhëna.
“Për ne është e rëndësishme, për LDK-në, që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht, ky buxhet nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është e habitshme dhe shqetësuese se si Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina e ka miratuar buxhetin më 6 shkurt të vitit 2026, ndërsa buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt të vitit 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar, kjo është legjislaturë e re”, tha ai.
Abdixhiku tha se nëse LDK-së i mohohet buxheti për kryeqytetin, LDK-ja do ta ripërcaktojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë edhe votat e deputetëve të LDK-së.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë numrat tanë në këtë Kuvend”, shtoi Abdixhiku.
REAGIMI I KRYEMINISTRIT KURTI
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj kritikave të opozitarëve për buxhetin e vitit 2026. Ai tha se ekspozeja e tij e paraqitur me rastin e formimit të qeverisë nuk mund të përfshihet menjëherë në buxhet para se të sillet programi qeveritar në Kuvend.
Sipas tij, sapo të sjellin programin qeveritar në Kuvend do të rishikohet buxheti për vitin 2026.
“Nuk mund të jetë i ri, ashtu siç është përbërja e Kuvendit dhe ashtu siç është qeveria e re. Zotimet që i kemi thënë në fushatën e fundit, natyrisht, janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë me datën 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri duhet të vijë tek ju programi qeveritar”, tha Kurti.
Kryeministri vijoi duke theksuar se “do të ishte jonormale që ne të sjellim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave për nga kronologjia është: zotimet në fushatë, ekspozeja, programi dhe më pastaj rishikimi i buxhetit”.
“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së, por u përgjigja se njëherë do të sjellim programin qeveritar dhe pastaj rishikimin e buxhetit. Por nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tash ka progres stabël”, tha ai në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2026.
Pas fjalës të tij, Kurti la sallën plenare, por tha se do të kthehet.

