Fushata zgjedhore në Hungari hyn në fazën e nxehtë, Ukraina, BE dhe Trump në qendër

Rreth dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Hungari, fushata ka hyrë në një fazë të re, me palët që po ashpërsojnë retorikën dhe premtimet, sipas “Euronews”.

Kryeministri Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz, në pushtet me shumicë absolute prej gati 16 vitesh, përballen me një sfidë serioze nga Peter Magyar dhe Partia Tisza, e cila kryeson në shumicën e sondazheve.

Implikimet e votimit shkojnë përtej Hungarisë. Budapesti ndodhet në qendër të disa çështjeve kyçe në Bashkimin Europian; është i vetmi vend i sanksionuar për korrupsion sistemik dhe shpesh është kthyer në pengesë për unitetin evropian, nga sanksionet ndaj Rusisë te mbështetja për Ukrainën.

“Pyetja është nëse vendi që ka qenë pengesa më e madhe për vendimmarrjen strategjike në BE gjatë 15 viteve të fundit mund të shndërrohet në një partner konstruktiv”, tha Daniel Hegedus nga Instituti për Politikë Evropiane.

Orban sulmon Ukrainën, opozitën dhe Ursula von der Leyen

Gjatë këtyre ditëve, Orban e ashpërsoi retorikën kundër Ukrainës, duke e paraqitur atë si “armik” të Hungarisë. Ai përsëriti se kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe u zotua të vazhdojë bllokimin e procesit, i cili kërkon unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare.

“Hungarezët nuk duan bashkëpunim ushtarak apo ekonomik me ukrainasit, sepse ata po na tërheqin në luftë”, deklaroi Orban në një tubim elektoral.

Ai akuzoi gjithashtu Kievin se kërkon që Budapesti të heqë dorë nga importet e energjisë ruse, të cilat qeveria hungareze i konsideron të domosdoshme për të mbajtur çmimet e ulëta, në një kohë kur shumica e vendeve të BE-së synojnë të shkëputen nga gazi dhe nafta ruse.

Orban sulmoi edhe liderin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, si dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke i akuzuar se ndikojnë në opozitën hungareze. Ai e ka kritikuar shpesh kreun e Komisionit për politikat klimatike dhe migracionin, duke e paraqitur si përgjegjëse për “dëmtimin” e Evropës.

Megjithatë, pavarësisht retorikës, Orban nuk ka bllokuar zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Faktori Trump

Orban njoftoi se do të vizitojë Uashingtonin në fund të shkurtit për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”. Pak kohë më parë, presidenti amerikan Donald Trump i dha mbështetjen e tij publike Orbanit, duke e quajtur atë “udhëheqës të madh” për qëndrimin e tij të ashpër ndaj migracionit.

Trump i kishte dhënë më herët Hungarisë një përjashtim njëvjeçar për të vazhduar importet e energjisë ruse pas një takimi në Mar-a-Lago në vitin 2025. Një vizitë e mundshme e Trump në Budapest do të ishte një moment i rëndësishëm simbolik për Orbanin, por deri tani nuk është caktuar një datë.

Programi i opozitës: fokus te kostoja e jetesës

Nga ana tjetër, Peter Magyar publikoi një manifest prej 240 faqesh me titull “Bazat e një Hungarie funksionale dhe humane”. Dokumenti përqëndrohet te kriza e kostos së jetesës dhe përmirësimi i marrëdhënieve me BE-në.

Magyar premton ulje taksash për shtresat me të ardhura të ulëta, vendosjen e një takse mbi pasurinë për individët me pasuri mbi 1 miliard forintë (rreth 2.6 milionë euro), si dhe rritje të pensioneve nën mesataren.

Ai zotohet gjithashtu të zhbllokojë miliarda euro fonde europiane të ngrira për shkak të përplasjeve mbi shtetin e së drejtës, duke e afruar Hungarinë me Prokurorinë Publike Evropiane.

Manifesti parashikon edhe përgatitjen për adoptimin e euros, një ide që Orbán e ka kundërshtuar vazhdimisht.

Energji ruse dhe anëtarësimi i Ukrainës

Megjithëse Tisza paraqitet si më pro-europiane, dokumenti i saj tregon se një qeveri e re nuk do të ndryshonte menjëherë qëndrimin për energjinë ruse apo për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE.

Heqja graduale nga varësia ruse për  energjia parashikohet deri në vitin 2035, ndërsa partia kundërshton çdo “procedurë të përshpejtuar” për pranimin e Ukrainës.

Balancimi i kujdesshëm i Magyar synon ta pozicionojë si alternativë më konstruktive se Orban, por pa u identifikuar plotësisht me establishmentin e Brukselit, një lidhje që mund të rezultojë e dëmshme në zgjedhje.
Zgjedhjet e prillit pritet të jenë ndër më të rëndësishmet në historinë e fundit të Hungarisë, me pasoja jo vetëm për politikën e brendshme, por edhe për rolin e vendit në Bashkimin Europian.